Shqipëria

Rama: Do të legalizojmë kanabisin për përdorim mjekësor


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të enjten e 7 prillit, teksa fliste për rezultatet e Këshillimit Kombëtar, ka bërë me dije se, “do të legalizojmë kanabisin për përdorim mjekësor”.

Ky proces, sipas tij, do të fillojë shumë shpejt.

Shifrat tregojnë se, për sa i përket kultivimit të kanabisit, 61% e qytetarëve janë pro lejimit të kultivimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Kundër janë vetëm 29% e njerëzve dhe nuk e di 10%.

Më 26 shkurt, Rama, gjatë një takimi me qytetarët, pat deklaruar se legalizimi i kanabisit mund të shërbejë si lëndë bazë për farmaceutikën.

“Legalizimi i kanabisit mjekësor, pra jo për përdorim nga të gjithë, por si lëndë bazë për farmaceutikën, po tregon që ka të ardhura të rëndësishme në ekonomi”, vërejti kryeministri fillimisht.

Referuar idesë, ai shtoi se legalizimi krijon punësim, më tej një zë të ri në eksport dhe patjetër krijon më shumë të ardhura.

Rezultatet e Këshillimit Kombëtar

Shifrat treguese shfaqin mbështetje në masë të pohimeve të paraqitura nga Qeveria e Shqipërisë.

Shifrat dhe pyetjet më interesante, lidhen sigurisht me faktorë si kultivimi i kanabisit, qëndrimi mbi nismën Open Balkan, shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, apo përdorimi i certifikatave të vaksinimit në jetën e përditshme.

Sa i përket qëndrimit të qytetarëve mbi nismën Open Balkan, shumica e shqiptarëve janë pro, me 59% të votave. 26% e personave që janë përgjigjur, janë kundër dhe 15% nuk janë shprehur mbi çështjen.

Ndarja e rrugëtimit të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugëtimin evropian, sheh 67% pro rrugëtimit të Shqipërisë si e vetme. Vetëm 19% e personave që janë përgjigjur është pro rrugëtimit të përbashkët të dy vendeve të rajonit drejt BE-së, teksa një numër i lartë prej 14% të të anketuarve, nuk ka dhënë përgjigje mbi çështjen.

I vetmi rezultat kundër në 12 pyetje, është ai i lidhur me certifikatat e vaksinimit, nëse duhet të kryhen hyrjet në institucione apo ambiente publike vetëm nëpërmjet tyre.

53% e shqiptarëve kanë folur kundër këtij aspekti. Pro janë 41% e tyre, ndërsa 6% nuk kanë folur mbi çështjen.

Mbi pensionistët, të cilët ende vijojnë të punojnë dhe faktit nëse ata duhet ose jo të paguajnë kontribute, 66% thonë se nuk duhen paguar kontributet prej tyre. Kundër këtij pohimi janë 27% e qytetarëve dhe abstenojnë 6% e tyre.

Emigrantët që depozitojnë kursimet duhet të marrin amnisti të plotë nga shteti. Po, thonë 66% e përgjigjeve. Jo, thonë nga ana tjetër 24% e tyre. Pa përgjigje konkrete janë 10% e të pyeturve.

Gjobat për evazionin fiskal nga ana e bizneseve të mëdha duhet të ashpërsohen sipas 65% të të anketuarve. Legjislacioni momental është mirë kështu si është, thonë 27% e përgjigjeve, ndërsa 8% mbesin neutral.

Ata që ndotin ambientin duhen ndëshkuar më shumë, sipas 77% të atyre që janë përgjigjur. Kundër këtij pohimi janë 17% e tyre dhe 6% mbesin neutral.

Pyetja e fundit lidhet me gjyqtarët, të cilët nuk kanë kaluar vetting-un, nëse ata duhet ose jo të pezullohen automatikisht nga detyra.

Pro këtij pohimi janë 74% e popullsisë, 19% kundër dhe 7% janë përgjigjur nuk e di.

Këshillimi Kombëtar, duke parë rezultatet e arritur, sipas kryeministrit Edi Rama, do të kthehet në një traditë vjetore të qeverive shqiptare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore