Shqipëria

Rama: Do ta shqyrtojmë propozimin e opozitës për kartat e identitetit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka pritur mirëpritur kërkesën e opozitës, për të shtyrë vlefshmërinë e kartave të skaduara të identitetit, në kuadër të zgjedhjeve që do të zhvillohen më 25 prill.

“Nuk e kam dëgjuar këtë si propozim. Zgjedhjet janë të përbashkëta. Rregullat e lojës janë të aprovuara bashkërisht dhe çdo propozim i arsyeshëm që secila palë bën dhe është në interes të procesit zgjedhor, është absolutisht i mirëseardhur. Sigurisht që bën sens dhe do të trajtohet me të gjithë seriozitetin e duhur”, deklaroi kryeministri.

Pas përfundimit të takimit të përjavshëm të shtabit elektoral të Partisë Socialiste, Rama u shpreh edhe për Presidentin e Republikës, Ilir Meta.

“Ilir Meta nuk është në lartësinë e detyrës që i ngarkon Kushtetuta, por është praktikisht nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhënien me trutë e kokës”, tha kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit, veprimtaria ilegale e presidentit është para syve të të gjithëve.

Pyetjes së gazetarëve nëse në listat e deputeteve të PS-së, do të ketë edhe emra nga opozita parlamentare, kryeministri Rama nuk i dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.

“Këtu nuk bëhet fjalë për një opozitë. Këtu bëhet fjalë për një skuadër me të gjithë ata që janë të gatshëm të përfshihen në vijën e parë të kësaj beteje”, përmbylli ai.

Gjithashtu edhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka dhënë një deklaratë lidhur me shtyrjen e afatit të skadencës së kartave të identitetit.

Ai tha se pavarësisht punës që po bëhet për të ndërgjegjësuar njerëzit për të aplikuar për rinoviminn e dokumentave të identitetit disa parti politike kanë kërkuar shtyrje të afatit të skadencës të letërnjoftimeve.

“Po e shikoj me shumë vëmendje. Jam në kontakt edhe me kryetarin e Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve (KQZ), për të parë dhe për të marrë edhe nga ata një opinion lidhur me këtë çështje. Sepse sigurisht do të lidhet me mënyrën sesi do të aplikohet teknologjia në zgjedhjet e radhës”, shtoi Çuçi.

Çuçi tha se po koordinohet plotësisht ky proces. “Mund t’i garantoj shqiptarët që askush nuk do të mbetet pa votuar për shkaqe që nuk varen nga vullneti i tyre”, përmbylli Ministri i Brendshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore