Shqipëria

Rama: Basha po çon PD-në drejt fundit – aty ku e meriton prej vitesh


“Lulzim Basha është një nga dy anët e një marrëzie që po e çon Partinë Demokratike drejt një fundi të merituar, për shkak se është një fund i përgatitur me vite. Jo nga unë, as nga ne, as nga ju, as nga ata shqiptarë që e besojnë dhe e votojnë. Por, nga këto dy figura që janë shëmbëlltyra e gjithë asaj që është përgatitur me këmbënguljen e verbër dhe përsëritjen të së njëjtës gjë, në kërkim të rezultateve të tjera”.

Kështu është shprehur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në bashkëbisedim me gazetarët, të enjten e 30 dhjetorit, referuar kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Rama i ka mohuar të gjitha akuzat e një bashkëpunimi të fshehtë me kryedemokratin Basha.

“PD është një forcë politike që nuk ka prodhuar asgjë tjetër përveç mite fitoresh të vjedhura, rrëmujave me një përpjekje për t’u rikthyer në pushtet. Për mua është e qartë. S’kam asnjë punë as me njërin, as me tjetrin”, theksoi Rama.

Sipas numrit një të qeverisë, “janë dy burra me hallet e tyre, hallet e partisë tyre që duan ta kthejnë në hall të Shqipërisë”.

“S’kam asnjë arsye për t’u marrë as me njërin, as me tjetrin dhe kohën që ma kanë marrë nuk do të ma marrin më”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore