Shqipëria

Rama: Autobusi i BE-së nuk do të përplaset kurrë, pavarësisht se ecën ngadalë dhe udhëtimi është i largët


Sipas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, pavarësisht se vendmbërritja është shumë e largët dhe udhëtimi shumë i avashtë, autobusi i Bashkimit Evropian është e sigurt se kurrë nuk do të përplaset.

Është kjo replika që ai jep sa i takon një mosrakordimi të qëndrimeve mes Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian, një ditë pas deklaratës së presidentit të KiE-së, Charles Michel, i cili tha se brenda vitit 2030, BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj në bashkësi.

Por, sipas Komisionit, nuk është me rëndësi të madhe një afat i caktuar, sa puna që po bëhet që aspirantët për anëtarësim të jenë gati për t’u bashkuar.

Me ironi, kreu i Qeverisë shqiptare flet sërish edhe për “avionin rus” (referuar rastit Prigozhin), i cili u përplas, duke thënë se një autobus i BE-së, edhe nëse nuk ka vende për t’u ulur aktualisht, është shumë më i sigurt.

Këtë qëndrim, ai e shpalosi në platformën “X”, e njohur më parë si Twitter, ku ka shpërndarë edhe një artikull të medias ndërkombëtare Politico, në të cilin pasqyrohen mosmarrëveshjet evropiane.

Përpos të tjerave, gjatë Forumit Strategjik të Bled-it në Slloveni, Rama, ka kërkuar qartazi nga vendet e Bashkimit Evropian, që nuk duhet të ketë më thjesht principe, vlera, apo leksione në integrimin e Ballkanit Perëndimor në union, por edhe mbështetje e vazhdueshme, jo vetëm financiare, por edhe në termat e aksesit të rajonit në tregun e përbashkët evropian.

Këtë, ai e ka theksuar gjatë një paneli me liderët e Ballkanit Perëndimor, ku sintetizohen mendime rreth rrjedhës së integrimit që duhet të vijojë me Bashkimin Evropian.

“Hapa konkretë duhet të merren”, vuri në dukje kryeministri. “S’duhet të jetë asgjë ose gjithçka. Duhet mos të ketë vetëm principe, vlera dhe leksione në mes. Jo thjesht reforma dhe kritika. Por edhe mbështetje më e vazhdueshme, jo thjesht financiare por edhe në aksesin e shteteve tona në tregun e përbashkët dhe në hapësirën e hapur për ndërmarrjet tona”.

Në pikëpamje mbi këtë, ai vendosi edhe një premtim të Presidentit të Këshillit të Evropës, Charles Michel, i cili argumentoi se BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030.

BE-ja duhet të jetë gati të pranojë anëtarë të rinj deri në vitin 2030, propozimi që do të vijë nga Michel në Slloveni

Për këtë, Rama tha se vërtetë shpreson se e gjitha do të materializohet dhe kërkoi që Michel ta mbajë këtë premtim.

Por, jo domosdoshmërish kjo do të thotë se vendet do të jenë gati për anëtarësim (dhe do të anëtarësohen) në vitin 2030.

Përkundër kësaj, ai këmbënguli se të gjithë duhet ta kuptojnë disbalancën që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë me disa vende të tjera të Ballkanit, pjesë e BE-së, në aspektin e Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë.

Kështu, duhet të shihen hapa konkretë për të ulur minimalisht ndryshimet e mëdha mes vendeve.

2030 jo si anëtarësimi juridik i Ballkanit në BE, por si vizioni faktik integrues

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore