Shqipëria

Rama: Arsimi parauniversitar ka avancuar në raport me objektivat


Kryeministri Edi Rama, në bashkëbisedim me pedagogë të Universitetit “Eqrem Çabej” dhe mësues në Gjirokastër, u shpreh se reforma në arsim është në rrugën e duhur.

Ai theksoi se, nëse do të bëhej një krahasim mes arsimit parauniversitar  dhe universitar, tek arsimi parauniversitar ka më shumë avancim në raport me objektivat.

“Kemi arritje shumë të prekshme, të dhëna inkurajuese, megjithëse gjërat për t’u bërë nuk janë pak. Për arsimin universitar kemi bërë reformë kurajoze, kemi rritur autonominë, kemi krijuar kushte të reja, por jemi përballë një sfide komplekse që duhet ta konsiderojmë si një sfidë të përbashkët”.

Sipas Ramës, arsimi parauniversitar ka nevojë për fuqizim në nivelin e kompetencës së drejtorëve të shkollave.

“Është e qartë se në figurën e drejtuesit të një shkolle duhet të kërkojmë më shumë angazhim, në sensin e rritjes së kapacitetit menaxherial. Është një kohë e re me shumë sfida të reja për prindërit, fëmijët dhe mësuesit. Kanë ndryshuar në mënyrë radikale ritmet e jetës, dhe kanalet e informimit, ballafaqimit me realitetin”.

Ai u shpreh se “do t’i japim jetë dy programeve të reja, në sistemin parauniversitar në radhë të parë, një programi të madh kombëtar për sportin, dhe një tjetër për artet dhe zejet”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore