Shqipëria

Rama apelon opozitën kundër bojkotit: Me ju dialogojmë, merremi vesh shqip


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë prezantimit të programit qeverisës për mandatin e tretë, 16 shtator 2021

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vijuar ftesën e tij për të bashkëpunuar me opozitën, më konkretisht me Partinë Demokratike, mbi reformat që duhen ndërmarrë për një Shqipëri, siç e ka cilësuar Rama, “në piedestalin ku i takon”.

Por, ky bashkëpunim nuk vjen as me bojkot, as me ultimatume sipas kryeministrit. Dialogu është rruga e vetme.

“Me urdhra, kërcënime dhe ultimatume nuk keni arritur dhe nuk do të arrini asnjëherë. Për shumëçka tjetër, mund të merremi vesh më pas”, tha ai nga foltorja e Parlamentit, gjatë prezantimit të programit qeverisës.

Faktori ndërkombëtar, kahera ka qenë i përfshirë në dialogun pozitë-opozitë në Shqipëri.

Për Ramën, ky lloj formati, duhet të marrë fund.

“Asnjë ndërmjetësues i huaj nuk duhet të jetë pjesë e këtyre zgjidhjeve”, vijoi kryeministri retorikën e tij.

“Ngërçet shkaktohen nga ne, duhet të zgjidhen nga ne. Jo duke folur anglisht, por shqip”.

Për rritjen e mirëqenies dhe ekonomisë, të ardhurat nuk janë të mjaftueshme sipas kreut të Qeverisë. Ato varen posaçërisht nga përfaqësuesit e vendit.

“Ne nuk jemi të detyruar të merremi vesh për gjithçka, por progresi demokratik nuk varet nga sa shpesh bien dakord Qeveria me opozitën, por nga si veprohet”, theksoi ai.

Qeveria me shumicën gra, por jashtë institucioneve jemi larg Evropës

Fjalën e tij hapëse në prezantimin e Programit Qeverisës të katër vjetëve të ardhshme, kryeministri i zgjedhur i Shqipërisë, Edi Rama, e ka nisur nga gratë dhe, më konkretisht, nga përbërja e kabinetit të tij të ri, i cili sheh 12 gra e vajza dhe vetëm katër burra.

Për Ramën nuk ka qenë qëllim në vetvete formimi i një kabineti të tillë. Mirëpo, puna në tetë vjet, e ka treguar se janë ato, të cilat e meritojnë vendin në atë kabinet.

Me votëbesimin e kërkuar sot, Shqipëria do të bëhet vendi me numrin më të lartë të grave ministre në botë.

Kabineti Rama 3

Përtej rolit të tyre gjinor, kryeministri ka garantuar gjithsesi se kohëzgjatja e çdo ministri në Qeveri, do të varet nga një faktor i vetëm gjykimi: Analiza e punës së tyre.

Ajo çfarë mbetet negative gjithsesi është realiteti shqiptar jashtë institucioneve për Ramën.

Sipas tij, Shqipëria nuk është ende në nivelet evropiane. Ndërsa kundër tyre ka forca të mëdha diskriminuese në shoqëri.

Për këtë, Rama ka bërë thirrje rishtazi për një vend më të mirë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore