Lajme

Rakiq akuzon Kurtin për sulmin ndaj Nikolla Rashiq


Lidhur me organizimin e sulmit fizik ndaj të birit të politikanit serb në Kosovë, Nenad Rashiq, është akuzuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga ana e kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.

Ai pretendon se sulmi ishte “organizuar përmes vetë Rashiqit dhe politikanes Rada Trajkoviq”, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve Tanjug.

Rakiq ka apeluar te serbët në Kosovë që t’i besojnë Serbisë dhe Listës Serbe duke shtuar se “presioni, trillimet dhe gënjeshtrat do të vazhdojnë”.

Njëjtë fajtore Serbinë e ka bërë edhe Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Duket se ky krim banditesk ndaj Nikolla Rashiqit është i organizuar dhe ka të bëjë me prindin e tij që nuk u thye e as s’u nënshtrua ndaj trysnisë e kërcënimeve të Serbisë. Me gjasë, meqë nuk e frikësuan dot Nenad Rashiqin, ia rrahën të birin Nikollën”, shkruan Kurti në Facebook.

Sulmi fizik ndaj Nikolla Rashiq është dënuar edhe nga Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, i cili ka reaguar kundër sulmeve të tilla.

“I bashkohem dënimit të parezervuar të agresionit të motivuar politikisht kundër të birit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresiste, Nenad Rashiq, një sulm ndaj vetë demokracisë”, ka thënë Orlando.

Tutje ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se dhunat e tilla duhet të dënohen nga institucionet përkatëse.

“Dhuna duhet të kundërshtohet vendosmërisht nga të gjithë dhe të dënohet nga institucionet përkatëse”, ka shkruar ai.

Po ashtu ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj sulmit brutal të Nikolla Rashiq, i cili ka kërkuar që ky incident duhet të hetohet nga organet e ligjit.

“Lidhur me incidentin e fundit në Llapnasellë, është e rëndësishme për organet e ligjit që të hetojnë plotësisht rastin”, ka thënë Rohde.

Tutje ai ka thënë se gjuha e urrejtjes përbën rrezikshmëri, dhe se sipas tij puna së bashku drejt një të ardhme më të mirë është shumë e rëndësishme.

“Të gjithë duhet të përmbahen nga gjuha nxitëse. Gjuha e urrejtjes është e rrezikshme. Puna e përbashkët drejt të ardhmes së përbashkët është çelësi”, ka thënë Rohde.

Gjithashtu edhe Igumeni i Manastirit të Deçanit, Sava Janjiq, ka thënë se ky “krim i tmerrshëm” duhet të dënohet duke i cilësuar si “çnjerëzor” personat të cilët kanë qenë pjesë e kësaj ngjarje.

“ Pa hyrë në pikëpamjet e Nenadit, fëmija u rrah me shufra metalike, boksa, dhëmbët i ishin thyer, fytyra e tij ishte gjymtuar. Këta njerëz nuk janë serbë, por janë çnjerëzor”.

Ai gjithashtu thotë se meqenëse ekziston një video-regjistrim “nuk është e vështirë të gjenden autorët” dhe sipas tij kushdo që e ka bërë këtë “duhet të hetohet”, ka thënë Janjiq.

Për rrahjen e Nikolla Rashiqit kanë reaguar edhe nga Lista Serbe, partia që kontrollohet nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kundërshtarët politik të Nenad Rashiqit.

Edhe ata, përmes një komunikate publikuar në Facebook, shkruajnë se “ftojmë organet kompetente që në mënyrë sa më të shpejtë të kryejnë hetimet dhe përgjegjësve t’ua japin dënimin meritor”.

Prokuroria Themelore e Prishtinës i ka nisur hetimet ku prokurori i rastit “do të ushtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”.

Të hënën më 22 shkurt, policia e Kosovës pati raportuar për një sulm fizik ndaj djalit të ish-ministrit, Nenad Rashiq, Nikolla Rashiq.

Sipas policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 12:00.

Raporti i policisë tregon se “lidhur me këtë rast policia ka shoqëruar në stacion policor 8 persona të dyshuar (prej tyre një i  mitur)”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore