Lajme

Rakiç nga Beogradi njofton për takimin me ambasadorët QUINT-it – Kërkuan ta njohim pavarësinë e Kosovës, ne refuzuam


Goran Rakiç

“Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kërkuan nga Lista Serbe pranimin e shtetësisë së Kosovës dhe na bënë me dije se vendimet e Qeverisë së Kosovës janë legjitime”.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ministri për Komunitete dhe Kthim dhe njëherit kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, i cili është ftuar nga drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, për një konferencë për media në sallën e shtypit të Qeverisë serbe një ditë pas takimit që zyrtarët e Listës Serbe kanë pasur me Ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Kosovë.

Sipas Rakiç, takimi i djeshëm në mes të zyrtarëve të Listës Serbe dhe Ambasadorëve të Shteteve të QUINT-it, ka qenë e mbyllur për publikun, dhe mu për këtë arsye ai ka zgjedhur sot që nga Beogradi të njoftojë opinionin publik serb për peshën dhe seriozitetin e mesazheve që kanë marrë ata dje në takim.

“Në takimin që zgjati më shumë se dy orë, mesazhet kryesore ishin se vendet e tyre e mbështesin pavarësinë e Kosovës, mbështesin edhe vendimet që merr Prishtina. Ata posaçërisht theksuan se mbështesin vendimet e Prishtinë për targa dhe kartat e identitetit” , ka treguar Rakiç.

Sipas Rakiç, ambasadorët e QUINT-it kanë nënvizuar faktin se vendimi i fundit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identiteti është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ne u thamë atyre që asnjë serb, nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës, ata [Ambasadorët e QUINT-it] mund të mbështesin Prishtinë, por kjo për ne është e papranueshme”.

Më tej Rakiç ka bërë të ditur se në takim ka njoftuar ambasadorët e Shteteve të QUINT-it se për serbët lokal vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat dhe kartat e identiteti është i papranueshëm.

“Serbët e Veriut nuk i njohin vendimet e njëanshme dhe pavarësinë, e vetmja gjë në të cilën ne besojmë është se Vuçiç do të gjejë zgjidhjen në Bruksel”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, në konferencën për media në Beograd, kryetarët e katër komunave në veri – Zubin Potok, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq – u shprehën të shqetësuar për “patrullimin e shtuar” të Policisë së Kosovës në këtë pjesë dhe thanë se nuk pranojnë vendimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Zoran Todiq, kryetari i Komunës së Leposaviqit, tha se gjenden “në një situatë gjithnjë e më të vështirë sigurie dhe politike” dhe shtoi se në takimin e ambasadorët e QUINT-it kanë kërkuar që Kurti të heqë dorë nga zbatimi i vendimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore