Lajme

Radojiçiç grushton ish-kryetarin ilegal të Mitrovicës së Veriut


Milan Radojiçiç

Kryeterrorist, Milan Radojiçiç, i cili pranoi se udhëhoqi grupin paramilitar serb në sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit, është parë duke grushtuar në mënyrë brutale, ish-kryetarin e Komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, Aleksandër Spiriçin.

Në një video të publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës, RTK, Radojiçiç shihet duke grushtuar Spiriç në mënyrë brutale, ndërsa ky i fundi rrëzohet në tokë nga goditja.

Motivet e sulmit ndaj politikanit serb nga Kosova nuk dihen ende, ndërsa sipas RTK-së, ngjarja në fjalë ka ndodhur kohë më parë në hotelin “GREY” në Kopaonik, që është pronë e Millan Radojiçiç-it.

Radojiçiç, siç raporton RTK, ka filluar të zbatojë një fushatë kundër serbëve që po dalin kundër interesave të tij biznesore, por edhe atyre politike.

Aleksandar Spiriq ka ushtruar detyrën e kryetarit ilegal të Mitrovicës së Veriut nga viti 2020 deri në vitin 2023.

Radojiçiç, po akuzohet për tri vepra penale atë për “veprim i rëndë kundër rendit kushtetues apo sigurisë së Kosovës”, “kryerja e veprës terroriste” dhe “pastrim të parave” nga organizata ndërkombëtare, INTERPOL, e cila lëshoi edhe urdhërarrest ndaj tij dhe terroristëve të tjerë të përshirë në sulmin e 24 shtatorit, muaj më parë.

Raporti i siguruar nga Albanian Post i INTERPOL-it kundër ish-kryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiç, ndër të tjera potencon se ky i fundit për këto vepra mund të dënohet deri në burgim të përjetshëm.

Raporti i detajuar i INTERPOL kundër Radojiçiç precizon me saktësi se “më 24 shtator 2023 rreth orës 02:45 në fshatin Banjë të Komunës së Zveçanit, i dyshuari dhe bashkëkryesit e tij besohet se kanë vepruar së bashku për të hyrë ilegalisht në Kosovë me dhjetëra automjete të mbushura me armë, municion dhe veshje ushtarake”.

Gjithashtu raporti nënvizon faktin se “ Radojiçiç dhe bashkëkryesit e tij bllokuan rrugën me dy kamionë me qëllim që t’ua zënë pritën Policëve të Kosovës. Ata sulmuan PK-në me granata dhe armë të ndryshme në urën afër Manastirit të Banjës, duke vrarë oficerin e PK-së, Afrim Bunjaku dhe duke plagosur oficerin Alban Rashiti”.

Radojiçiç nga INTERPOL-i po akuzohet për terrorizëm e pastrim të parave

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore