Lajme

Radojiçiç dhe Veselinoviç janë miliarderë, njerëzit më të pasur edhe në Serbi – mediumi opozitar serb raporton për pasurinë marramendëse të dyshes kriminale


Veselinovic dhe Radoijcic

Mediumi opozitar në Serbi Nova, ka publikuar një artikull për pasurinë marramendëse të dy personave të vendosur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të dyshuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviç, Milan Radojiçiç dhe Zvonko Veselinoviç.

“Nëse Kosova mbrohet me fitime në Serbinë qendrore, atëherë dyshja kontroverse Milan Radojiçiç dhe Zvonko Veselinoviç është më se e suksesshme”, thuhet në fillim të artikullit.

Sipas Novas, “të dy zotërojnë të paktën katër kompani, të cilat falë marrëveshjeve fitimprurëse me shtetin, kanë tejkaluar për nga fitimi oligarkun serb Miroslav Mishkoviç. Pasuria e Mishkoviç vlerësohet miliarda euro, por këta të dy e kanë tejkaluar, shkruan gazeta serbe.

Të dy, Veselinoviç dhe Radojiçiç ishin arrestuar më parë, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviç-it.

Në Kuvendin e Serbisë së fundmi është zhvilluar një diskutim i gjatë për këta dy persona.

Deputeti i serb, Borislav Novakoviç, ka thënë se ata janë liderët e grupit më të madh të organizuar kriminal në Serbi, duke iu referuar aktakuzës për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviç-it, por edhe institucioneve ndërkombëtare, pra shpjegimit të Departamentit të Financave të SHBA-së që vendosi sanksione mbi ta.

Por ata janë mbrojtur fuqishëm nga partia e Vuçiç-it, Partia Progresiste e Serbisë, sidomos nga ministri Aleksandër Martinoviç, duke deklaruar se deputeti “po kriminalizon dy persona që jetojnë në Kosovë “, dhe duke i mbrojtur për patriotë që e mbrojnë Kosovën.

Bizneset fitimprurëse të lidhura me shtetin e Serbisë

Veselinoviç dhe Radojiçiç kanë qenë partnerë biznesi për një kohë të gjatë. Ata zotërojnë kompanitë “Novi Pazar”, “Inkop”, “Betonjerka Aleksinaç”, “Doli Bel” e  disa të tjerë.

Më i suksesshmi ndoshta është thënë të jetë “Novi Pazari”, i cili, siç shkruan mediumi serb NIN, në vitin 2019 kishte një fitim neto prej 20.9 milionë dinarë, dhe vitin e kaluar gati 1.2 miliardë dinarë”.

Goran Rakiç, Milan Radojiçiç dhe Delibor Jevtiç

Kompania e tyre “ombrellë”, “Inkop”, përmes së cilës hynë në botën e biznesit juridik, vitin e kaluar i siguroi Radojiçiç-it dhe Veselinoviç-it – Zvonkos dhe vëllait të tij Zharko, një fitim prej gati 1.8 miliardë dinarë ose 15 milionë euro.

NIN bëri të ditur se përkundër idesë se Mishkoviç është biznesmeni më i pasur në Serbi, Radojiçiç dhe vëllezërit Veselinoviç, e lënë atë prapa sa i përket fitimeve të realizuara.

Siç ka shkruar më parë Nova, për shembull, kompania “Novi Pazar”, e cila është blerë nga Veselinoviç dhe Radojiçiç në janar të vitit 2020, mesatarisht ka marrë të paktën një tender në muaj nga Serbia.

Përveç kësaj, pothuajse në të gjitha rastet, ajo ishte ofertuesja e vetme. “Inkop”, nga ana tjetër, shpesh merrte punë si nënkontraktor në projektet më të mëdha të ndërtimit, ndër të tjera në Beograd.

Kurse me kompani të tjera si “Granit” janë të angazhuar në korridore të tjera ndërtimi. Ata po asafaltojnë edhe rrugët kryesore në qendër të Beogradit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore