Shqipëria

Qyteti në Kili me rrugica shqiptare


Hualpen është një qytet kilian me rreth 110 mijë banorë. I përket provincës së Concepcion, i shtrirë në 53.5 kilometër katrorë dhe është një qytet kryesisht industrial.

Asgjë e veçantë nuk do ta karakterizonte – të paktën për shqiptarët – këtë qytet më se të zakonshëm amerikano-jugor, po të mos ishte për faktin se disa prej rrugicave, janë emërtuar në bazë të qyteteve më të mëdha shqiptare!

Tirana, Durazzo (Durrësi), Dibra, Elbasan, Escutari (Shkodra) apo Berat, janë vetëm disa prej rrugicave në lagjet e Hualpen-it.

Rrugica të emërtuara si qytete shqiptare në Hualpen

Në fakt, një zonë e këtij qyteti, karakterizohet nga rrugë e rrugica me emërtime të qyteteve të ndryshme evropiane, apo edhe vetë shteteve.

Fjala bie, Elbasani, është “fqinj” me Rumaninë, po ashtu si Shkodra.

Berati, Durrësi, Shkodra dhe Elbasani, janë në fakt degëzime të Gjibraltarit. Ndërsa, paralele, kanë Romën.

Fqinjësinë, këto rrugica shqiptare, e kanë ruajtur edhe në koncept gjeopolitik – edhe pse shumë të prapambetur – pasi një prej rrugëve, është e emërtuar si Jugosllavi. Ndoshta, Bashkia apo vetë banorët, nuk e kanë mbërritur ende lajmin e shpërbërjes së saj?!

Qyteti i Hualpen parë nga lart

Megjithatë, nuk ka shumë rastësi në këtë lagje të Hualpen-it, pasi rrethanat janë përcaktuar nga historia.

Sipas vetë rrëfimit mbi ngritjen e qytetit, një pjesë e mirë e themeluesve, ishin edhe emigrantë evropiane.

Shumica prej tyre ishin anglezë, skocezë, francezë apo edhe çekë. Kjo reflektohet edhe në një numër akoma më të madh rrugësh, të emërtuara në bazë të lagjeve të banuara prej emigrantëve.

Në zonën ku gjenden rrugicat shqiptare, sipas faqes së Bashkisë së Hualpen, patën emigruar një numër i madh shtetasish nga ish-Jugosllavia, ku shumica mendohet se kanë qenë kroatë.

Por, kjo nuk e përligj vendosjen e emrave shqiptarë në rrugica, ndaj dyshimet të shtyjnë të mendosh se shqiptarët kanë qenë pjesë e komunitetit aty, edhe pse nuk ka një provë të qartë nga vetë organet vendore mbi këtë fakt.

Fakti është se vetë qyteti, është shumë i ri, i themeluar vetëm në vitin 2004. Ndaj edhe është shumë e mundur që shqiptarët të kenë qenë kontributorë në ngritjen e qendrës urbane.

Aq, sa edhe dyert e jashtme të disa prej shtëpive, kanë një ngjashmëri të frikshme me ato të portave të dikurshme – dhe të sotshme – të banesave shqiptare.

Pamje e një banese në rrugën Tirana, Hualpen

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore