Lajme

Qyteti i Texas-it përcjell në banesën e fundit fëmijët e vrarë


Në Uvalde të Texas-it ka nisur përcjellja në banesën e fundit e fëmijëve të vrarë në masakrën e javës së kaluar.

Të martën e 31 majit u caktuan funeralet për dy vajzat 10-vjeçare që ishin në mesin e 19 nxënësve, të gjithë të moshës nëntë deri në 11 vjeç.

Bashkë me ta edhe dy mësuese të vrara.

Ngjarja e rëndë ndodhi kur një person i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb më 24 maj.

Qindra njerëz mbajtën meshë pasdite për të kujtuar Amerie Jo Garza.

Kurse funerali i Maite Rodriguez ishte planifikuar për të martën më vonë.

Erika Santiago, bashkëshorti i saj dhe dy fëmijët e tyre mbanin veshur këmisha ngjyrë vjollcë me imazhet e stampuara të viktimave në funeralin e Amerie.

Santiago e ka përshkruar Amerie-n si “një vajzë të vogël të bukur që buzëqeshte shumë” dhe që ishte “modeste, karizmatike dhe plot jetë”.

Ajo ka treguar se djali i saj 10-vjeçar, Adriel, shikonte me tmerr imazhet e para që dolën në lajme pas të shtënave.

Prej tyre ai njohu mikeshat e tij, Amerie dhe Maite.

“Kjo ndikoi shumë tek ai”, ka treguar Santiago.

“Ai më tha se nuk donte të shkonte në shkollë nga frika se mund të ndodhte sërish e njëjta gjë”, ka shtuar ajo.

Komuniteti prej rreth 16 mijë banorësh është ende i tronditur nga pasojat e sulmit vdekjeprurës, i cili ka nxitur thirrje në të gjithë SHBA-të për ligje më të rrepta për kontrollin e armëve.

Po ashtu banorët janë bashkuar për të mbështetur njëri-tjetrin. Vetëm këtë javë janë planifikuar funeralet për 11 fëmijët dhe mësuesen Irma Garcia.

Të hënën, artistët vrapuan për të përfunduar një murale me pëllumba të bardhë në anën e ndërtesës Ace Bail Bonds, pranë varrezave.

“Ata fëmijë ishin plot jetë dhe ëndrra”, ka thënë një nga artistet, Yanira Castillo, e cila ka jetuar gjithë jetën e saj në Uvalde.

Dhe se ngjarja do të mbetet gjithmonë në kujtesën e saj.

Nga ana tjetër, hetuesit do të kërkojnë se si u përgjigj policia ndaj të shtënave.

Ligjvënësit kanë thënë se do të shqyrtojnë se çfarë mund të bëhet për të frenuar dhunën me armë që përshkon kombin.

Departamenti i Drejtësisë, ndërkohë, po heton përgjigjen e zbatimit të ligjit ndaj të shtënave, pasi zyrtarët e Texas-it kanë zbuluar se nxënësit dhe mësuesit iu lutën vazhdimisht operatorëve për ndihmë.

Ndërsa një komandant policie u ka thënë, më shumë se një duzinë oficerëve, të prisnin në korridorin e shkollës.

Marrë nga “Aljazeera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore