Kosova

Aktivisti i PSD-së kërkon llogari nga deputetët e LVV-së: Dehari vdiq në burg kundër Zajednicës – marre duhet t’iu vije


Arbër Rexhaj

Përgjegjësi ka kërkuar një aktivisti i Partisë Socialdemokratike (PSD) nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa i ka zënë të papërgatitur deputetët e pushtetit derisa po shijonin kafenë në sheshin kryesor të Prishtinës, krejtësisht moskokëçarës për premtimet e shkelura, posaçërisht për çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, përkundër insistimit të këtij qytetari për të marrë një përgjigje, deputetët e LVV-së – Arbër Rexhaj, Artan Abrashi, Mufail Bajqinovci – nuk kanë reaguar. Ata janë pyetur edhe për tradhëtinë ndaj idealeve, në mbrojte të së cilave vdiq në burg në rethana ende të panjohura aktivisti i LVV-së, Astrit Dehari, para shtatë vjetësh.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherit politikani që për një dekadë ka kundërshtuar ashpër çdo marrëveshje me Serbinë, ka shprehur gatishmërinë për të nënshkruar një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe pa njohje reciproke mes dy fqinjëve armiqësorë.

LVV-ja ka hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës për hir të kauzës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa pasur asnjë kompetencë ekzekutive. Madje, gjatë kohës së gjatë të qëndrimit në opozitë e kanë shtrëmbëruar edhe emrin e tij kushtetues, duke e quajtur “Zajednicë” në serbisht. Megjithëkëtë, deputetët e LVV-së kanë refuzuar të përgjigjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore