Shqipëria

Qytetarët nuk i njohin platformat politike dhe kandidatët, sipas sondazhit të IRI-së


Pas nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, votuesit e qyteteve më të mëdha të vendit duan më shumë informacione shtesë për programet e partive dhe për kandidatët për kryebashkiakë.

Kështu zbulojnë të dhënat e sondazhit të publikuar gjatë muajit prill nga organizata jofitimprurëse amerikane Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI).

Të dhënat e sondazhit u mblodhën midis periudhës 29 janar – 13 shkurt, përmes teknikës së Intervistimit Personal të Asistuar me Kompjuter (CAPI), e administruar përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve.

Në kapitullin e fushatës së zgjedhjeve vendore, IRI pohon se 82 për qind e të anketuarve duan të dinë më shumë për programet e partive ndërsa 84 për qind duan informacione shtesë për kandidatët.

Sipas OJF-së, pjesëmarrësit në sondazhe janë përgjigjur duke përzgjedhur më shumë se një alternativë për secilën pyetje.

Të pyetur se në çfarë formatesh do të dëshironin informacion shtesë, shumica dërrmuese (91 për qind) do të dëshironin një forum publik me kandidatët.

82 për qind e kërkojnë informacionin përmes programimit televiziv ndërsa 57 për qind nga përmbajtja e internetit dhe mediave sociale.

Vetëm 51 për qind e të anketuarve duan që kandidatët t’u shkojnë derë më derë.

Problemi më i rëndësishëm me të cilin përballen të anketuarit është ekonomia (kostoja e jetesës dhe çmimet e larta) respektivisht me 52 për qind dhe 27 për qind.

Shumica e të anketuarve u përgjigjën se problemi më i rëndësishëm që përballet bashkia e tyre është po ashtu me karakter ekonomik (pra kostoja e jetesës dhe çmimet e larta) 44 për qind u përgjigjën kështu.

Në vend të dytë renditet papunësia me 26 për qind ndërsa infrastruktura është e treta me 6 për qind.

43 për qind e të anketuarve u përgjigjën se me shumë gjasë do të votojnë, ndërsa 30 për qind janë pak a shumë të bindur se do të votojnë. Vetëm 20 për qind nuk besojnë se do të votojnë.

Të pyetur për arsyet pas këtij vendimi, 27 për qind përgjigjen se asnjë nga partitë ose kandidatët nuk i frymëzon, ndërsa 23 për qind mendojnë se vota e tyre nuk ka rëndësi.

Faktori më i rëndësishëm për përcaktimin e votës për kryetar bashkie, sipas sondazhit të IRI-t, ishte platforma (programi) ose premtimet e kandidatit për 35 për qind të të anketuarve.

Përkatësia partiake e kandidatit kishte 25 për qind rëndësi për qytetarët e pyetur ndërsa performanca/rekordi i kaluar i kandidatit vetëm 14 për qind.

Infrastruktura ishte çështja më e rëndësishme për përcaktimin e votës së 72 për qind të të anketuarve.

Ekonomia dhe korrupsioni ishte i rëndësishëm për 69 për qind të të pyeturve, 65 për qind u përgjigjën mjedisi dhe mbetjet ndërsa karakteri i kandidatit ishte më pak i rëndësishmi me vetëm 28 për qind vlerësim nga ana e të anketuarve.

Në përmbyllje të sondazhit, IRI vëren se 33 për qind besojnë pak a shumë se njerëzit e zakonshëm janë në gjendje të ndikojnë në vendimmarrje ndërsa 24 për qind nuk besojnë fare se kanë rol në këtë proces.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore