Kosova

QUINT-i sërish thirrje Qeverisë për Manastirin: Zbatojeni vendimin e Kushtetueses


Manastiri i Deçanit.

Ambasadorët e QUINT-it kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët përmes ambasadës amerikane në Prishtinë, lidhur me çështjen e pronës së Manastirit të Deçanit.

Këto shtete i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të veprojë pa u vonuar për zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit.

“Ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar Qeverisë së Kosovës që të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme në zbatimin e plotë të regjistrimit të ligjshëm të tokës së Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Kjo thirrje është bërë përmes një shkrimi në faqen zyrtare të Ambasadës amerikane.

“Shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara janë të bashkuar në mbështetje të së ardhmes demokratike dhe evropiane të Kosovës”.

Në maj të vitit 2016, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konfirmoi pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi disa hektarë tokë. Pavarësisht këtij vendimi të ligjshëm dhe kërkesave të mëvonshme, vendimi i Gjykatës ende nuk është zbatuar.

“Zbatimi i shtetit të së drejtës dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë detyrime për të gjitha qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike”.

“Ato janë gjithashtu parakushte të nevojshme për konsolidimin demokratik të Kosovës dhe integrimin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Manastiri i Deçanit.

Procesi gjyqësor për çështjen se kujt i takojnë 24 hektarë tokë dhe pyje – ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” apo Manastirit mesjetar të Deçanit – zgjati nga viti 2000 deri në vitin 2016, kur Gjykata Kushtetuese vendosi në favor të Manastirit.

Gjykata Kushtetuese, asokohe, hodhi poshtë vendimin e Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, të vitit 2015, për kthimin e lëndës në Gjykatën Themelore në Deçan dhe konstatoi se vendimi i mëparshëm i Gjykatës Supreme i vitit 2012, i cili vërtetonte pronësinë e Manastirit mbi tokën e kontestuar, është “res judicata”, apo gjykim i formës së prerë.

Në fund të shtatorit të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deklaroi se vendimi i saj nuk ishte zbatuar dhe i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të Kosovës që të ndërmarrë veprime të mëtejme, në përputhje me kompetencat e saj ligjore.

Në vendimin për moszbatimin e aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese theksoi se nuk ka juridiksion të vlerësojë përgjegjësinë për moszbatimin e një vendimi të Gjykatës nga organet përgjegjëse, por u tha se një vlerësim i tillë i takon prokurorit të shtetit, në përputhje me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Tash e disa vite, bashkësia ndërkombëtare i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të lejojë Manastirin e Deçanit të regjistrojë në kadastër 24 hektarët tokë dhe pyje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një letër drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të janarit, tha se autoritetet në Kosovë duhet t’i respektojnë të drejtat e komuniteteve pakicë dhe kërkoi që të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Manastiri i Deçanit ka edhe një kontest me autoritetet lokale në Deçan, e që ka të bëjë me ndërtimin e rrugës kryesore Deçan – Plavë.

Punimet për ndërtimin e kësaj rruge po zhvillohen përmes zonës së mbrojtur të Manastirit dhe ato janë ndërprerë disa herë, me kërkesë të Qeverisë së Kosovës ose bashkësisë ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore