Lajme

“Qeveritë jo transparente të Kosovës, asnjëra s’respektoi deklarimin e pasurisë”


Ilustrim. Lëvizja FOL

Albana Hasani, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ka thënë se kjo organizatë jo qeveritare ka analizuar Ligjin për deklarimin e pasurisë dhe ka vënë në pah të metat e zbatimit të këtij ligji në praktikë nga Qeveria Haradinaj, Kurti I dhe Hoti.

Ajo në një konferencë për media ka theksuar se ministrat dhe zëvendësministrat nga këto Qeveri, nuk i kanë respektuar afatet ligjore duke mos e deklaruar pasurinë e tyre sa ishin në pozitë apo edhe pas shkarkimit të detyrës.

“Nga të gjeturat kryesore të raportit sa i përket respektimit të afateve ligjore, nga 131 ministra e zëvendësministra të Qeverisë Haradinaj, vetëm 61 prej tyre kanë respektuar afatet ligjore për deklarimin e pasurisë, mirëpo asnjëri nga ta nuk e ka deklaruar pasurinë me rastin e shkarkimit nga detyra apo me rastin e dorëzimit të mandatit”, ka thënë Hasani.

“Nga 45 ministra e zëvendësministra të Qeverisë Kurti I, vetëm 20 nga ta e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit në detyra zyrtare ndërkaq, vetëm 15 nga ta e kanë bërë deklarimin e pasurisë me rastin e dorëzimit të detyrës”.

“Kurse nga 77 ministra e zëvendësministra e qeverisë Hoti vetëm 32 prej tyre e kanë deklaruar pasurinë me rastin e emërimit të detyrës zyrtare ndërsa asnjëri prej tyre nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë me rastin e shkarkimit apo dorëzimit të detyrave zyrtare”, është shprehur Hasani.

 

Po ashtu, bazuar në të raportin e kësaj organizate, thuhet se pavarësisht se këta zyrtarë nuk e kanë bërë deklarimin e pasurisë për këto kategori të njëjtit “nuk figurojnë në listën e personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë që publikohet nga Agjencia kundër Korrupsion”.

Sipas hulumtueses Hasani, kjo agjenci “ka dështuar” që të kryejë obligimet që i rrjedhin nga ligji për deklarimin e pasurisë, “për të qenë efikas në përditësimin e listave të personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë, që do të duhej vazhdimisht të publikohej në faqen e këtij institucioni”.

Në bazë të analizës së kornizës ligjore të deklarimit të pasurisë, Lëvizja Fol rekomandon që të krijohen mekanizma për rritje të vigjilencës të zyrtarëve publik për deklarimin e pasurisë, për respektimin e afateve për kategori të ndryshme të deklarimit siç është deklarimi me rastin e marrjes së detyrës, deklarimi i rregullt vjetor dhe deklarimi me rastin e dorëzimit të mandatit.

Po ashtu, Lëvizja Fol ka kërkuar që të përjashtohet kategoria e mjekëve, profesorëve dhe asistentëve universitar nga lista e subjekteve deklaruese që obligohet të parashihet në projektligjin e ardhshëm.

“Kjo për shkak se përfshirja e këtyre kategorive do të pamundësonte zbatimin e ligjit në praktikë për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe burimeve të AKK-së dhe në njëfarë mënyre do të krijonte një lloj dekurajomi të këtyre kategorive për të kryer detyra dhe funksionet që i kanë të përcaktuara” ka thënë Hasani.

Në anën tjetër ajo ka shtuar se ligji për deklarimin e pasurisë duhet të fokusohet vetëm te disa kategori që janë më të ekspozuara ndaj korrupsionit dhe te zyrtarët e lartë publik.

“Të largohet mundësia e pranimit të dhuratave të rastit nga zyrtarët e lartë publik, të ashpërsohen dispozitat ndëshkimore ndaj personave që nuk e kanë deklaruar pasurinë si dhe të rritet bashkëpunimi i agjencisë kompetente me policinë, prokurorinë, njësinë e inteligjencës financiare, administratën tatimore dhe institucionet e tjera relevante në mënyrë që të shkëmbehen të dhënat dhe informacionet në lidhje me deklarimin e pasurisë”, përfundoi Hasani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore