Lajme

Qeveritë evropiane s’po financojnë hekurudhat në favor të ndërtimit të rrugëve


Teksa investojnë për të zgjeruar rrjetin rrugor, qeveritë evropiane i kanë tkurrur “sistematikisht” financat për hekurudhat.

Në Evropë, gjatësia e autostradave u rrit me 60 për qind midis viteve 1995 dhe 2020.

Kurse hekurudhat për të njëjtën periudhë kohore u tkurrën me 6.5 për qind, sipas hulumtimit nga Instituti gjerman Wuppertal dhe T3 Transportation.

Për çdo 1 euro që qeveritë shpenzonin për ndërtimin e hekurudhave, ato shpenzuan 1.6 euro për ndërtimin e rrugëve.

“Kjo është një zgjedhje politike”, ka thënë Lorelei Limousin, një aktiviste për klimën me Greenpeace, e cila autorizoi raportin.

“Ne i shohim pasojat sot me klimën, por edhe me njerëzit që kanë mbetur pa një zgjidhje alternative për makinat”, ka thënë ajo.

Raporti zbuloi se BE-ja, Norvegjia, Zvicra dhe Britania e Madhe shpenzuan 1.5 trilion euro midis viteve 1995 dhe 2018 për të zgjatur rrugët e tyre.

Por vetëm 0.93 trilionë euro për të zgjeruar rrjetet hekurudhore.

Në katër vitet që pasuan, hendeku mesatar i investimeve në hekurudhë dhe rrugë u ul nga 66 për qind në 34 për qind.

Gjatë asaj kohe, shtatë vende investuan më shumë në hekurudhë sesa në rrugë – Austria, Belgjika, Danimarka, Franca, Italia, Luksemburgu dhe Britania e Madhe – ndërsa pjesa tjetër shpenzoi më shumë në rrugë sesa në hekurudhë.

Giulio Mattioli, studiues i transportit, ka thënë se “shumica e vendeve evropiane në fakt kanë inkurajuar përdorimin e makinave duke investuar shuma të mëdha parash publike në zgjerimin e infrastrukturës së autostradave”.

Sipas tij, kjo duhet të ndryshojë nëse duam të arrijmë objektivat e zbutjes së klimës në sektorin e transportit.

Raporti zbuloi se autostradat u rritën më shumë në Irlandë, Rumani dhe Poloni dhe më pak në Lituani, Letoni dhe Belgjikë.

Në 15 nga 30 vendet e studiuara, gjatësia e autostradave është më shumë se dyfishuar gjatë periudhës 25-vjeçare.

Sipas raportit, qeveritë evropiane kishin mbyllur më shumë se 2 mijë- e 500 stacione treni që nga mesi i viteve ‘90.

Gjithashtu mbyllën rreth 8 mijë e 523 milje të linjave hekurudhore rajonale të pasagjerëve.

Sakaq, BE-ja planifikon të ulë emetimet e gazrave serrë me 55 për qindderi në fund të dekadës nga nivelet e vitit 1990, por nuk ka arritur të bëjë ndonjë përparim në sektorin e saj të transportit.

Transporti rrugor ishte përgjegjës për tre të katërtat e emetimeve të sektorit në vitin 2020.

Vetëm në vitin 2029 emetimet e transportit vendas do të bien nën nivelet e vitit 1990, zbuloi Agjencia Evropiane e Mjedisit vitin e kaluar. Emetimet do të vazhdojnë të rriten nga avionët dhe anijet që udhëtojnë midis BE-së dhe pjesëve të tjera të botës.

Greenpeace u ka drejtuar thirrje qeverive që të largojnë paratë nga rrugët dhe drejt hekurudhave, transportit publik, korsive të biçikletave dhe trotuareve.

Gjithashtu ka kërkuar përfundimin e të gjitha autostradave dhe aeroporteve të reja.

Një pjesë e vogël e vendeve evropiane kanë prezantuar bileta më të lira të transportit publik për të inkurajuar njerëzit të kalojnë nga makinat në trena, tramvaje dhe autobusë.

Në Gjermani verën e kaluar, qeveria prezantoi një biletë prej 9 euro në muaj për transportin publik lokal dhe rajonal, të cilën më vonë e rriti në 49 euro në muaj.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore