Lajme

Qeveria ua rrezikon mbi 2 miliardë euro qytetarëve, lë Trustin pa bord – humbjet milionëshe veç kanë filluar


Foto: Ilustrim.

Mos zgjedhja e anëtarëve të bordit bordit menaxherial të Trustit nga ana e Qeverisë së Kosovës, po rrezikon mbi 2 miliardë euro të kursimeve pensionale të kosovarëve.

Nga institucionet akoma nuk është marrë vendim për emërimin e bordit, teksa nga Trusti kanë përfunduar të gjitha detyrat që janë në kompetenca të tyre.

Menaxheri i marrëdhënieve me publikun, Jeton Demi, përmes një përgjigje me shkrim për Albanian Post, thotë se mungesa e bordit drejtues dhe pasojat që mund të vijnë nga ta janë deklaruar qysh nga 1 marsi.

“Për çështjen e mungesës së Bordit Drejtues ne e kemi bërë deklarim në uebfaqen tonë qysh më 1 mars 2023”, thotë Demi për AP.

“Ne e kemi kryer detyrën tonë sapo na është kërkuar shpallja e konkursit për anëtarë të Bordit Drejtues dhe të gjithë dokumentacionin e kemi dërguar në Bankën Qendrore të Kosovës më 27 dhjetor 2022 për t’i trajtuar më tutje”.

Ai tutje sqaron se investimet rrezikohen duke u bazuar në një numër të faktorëve, por analiza e të cilave nuk mund të bëhet për shkak të mungesës së bordit.

“Rreziku i investimeve merr parasysh një sërë faktorësh dhe një sërë masash të cilat duhet t’i bëj Bordi Drejtues i FKPK-së, i ndihmuar edhe Administrata e FKPK-së, të cilin vlerësim aktualisht nuk e kemi meqë Bordi Drejtues nuk është funksional. Pozitive është që këtë javë kemi pasur ngritje të vlerës së investimeve dhe është rikuperuar një pjesë e rënies nga java e kaluar”, tha ai për AP.

Profesori universitar në fakultetin e Ekonomisë, Nagip Skenderi, në një bisedë për Albanian Post pohon se mungesa e bordit rrezikon miliarda euro kursime të qytetarëve të Kosovës.

“Mungesa e bordit të Trustit Pensional reflekton dukshëm në rrezikimin e mjeteve të Trustit nëpër tregjet ndërkombëtare, kjo i rrezikon miliarda euro kursime të qytetarëve të vendit, sidomos në kohën e tanishme kur kemi elemente të shfaqjes së krizave në sistemin bankar ndërkombëtar”, sqaron Skenderi për AP.

Ndër të tjera, Skenderi thotë se është një shumë prej 2 miliardë eurove që rrezikohet.

“Rreth 2.5 miliardë të kursimeve pensionale të investuara në tregjet financiare për momentin janë në mëshirë të fatit. Pasojat tanimë po i bartim ne si shoqëri, e sidomos kontributdhënësit”.

Sipas tij, në mënyrë që ky buxhet të mos rrezikohet zgjidhje e duhur do të ishte edhe tërheqja e tyre nga qytetarët.

“Ndoshta do të ishte shumë më mirë që një pjesë e këtyre mjeteve të lejoheshin nga Qeveria dhe Kuvendi për tërheqje, se sa këto mjete të humbasin vlerën e tyre, që automatikisht përcillet dhe reflektohet tek humbja e mjeteve tek kontributdhënësit”.

“Në mungesë të Bordit, nuk ka kush të marrë vendim për tërheqje të investimeve të Trustit Pensional nga tregjet financiare ku ka rënie”.

Skenderi një sjellje të tillë nga institucionet kompetente të cilat duhet të ndërmarrin veprime e quan “papërgjegjësi institucionale” duke kërkuar që “sa më shpejt të konstituohet Bordi i Trustit që të shpëtojnë mjetet”.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Imer Raçi, në një prononcim për Albanian Post deklaron se mungesa e një bordi të tillë humb edhe besimin e qytetarëve.

“Mungesa e bordit e humb edhe sigurinë e qytetarëve për kursimet e tyre, pasi që kjo e paraqet një shqetësim tek qytetarët duke e ditur që mjetet tona mund të humbasin sidomos në një krizë të tillë ekonomike”, thotë ai për AP.

Ndërsa thotë se nuk janë të informuar as për menaxhimin e parave që janë në Trust.

“Një tjetër aspekt është se nuk e dimë se si po menaxhohen parat tona dhe sa po u kushtohet kujdes duke mos pasur neglizhenca”.

“Institucionet duhet të zgjedhin menjëherë bordin e jo të zgjasin afatet për emërimin e bordit”.

Trusti pensional nuk është i vetmi institucion kyç që ka mbetur pa bord.

Edhe administrata tatimore e Kosovës nuk ka drejtor të zgjedhur teksa edhe Banka Qendrore e Kosovës do të mbetet pa guvernator nga java e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore