Qeveria shtyn procesin e regjistrimit të popullsisë pas kërkesave të 11 komunave

SHFLETO

Foto nga Zyra e Kryeministrit.

 

Altina Marmullaku
17.05.2024 18:43
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës, ka marrë vendim që të shtyj procesin e regjistrimit të popullsisë pas kërkesave që kanë ardhur nga 11 komuna nga gjithsej 32 komuna sa ka Kosova.

Vendimin e ka marrë ekzekutivi përmes mbledhjes elektronike, teksa lajmi është kumtuar përmes një komunikate për media.

“Me kërkesë të komunës së Dragashit, Prishtinës, Prizrenit, Drenasit, Fushë Kosovës, Skenderajt, Obiliqit, Ferizajt, Shtërpcës, Kaçanikut dhe Gjakovës ka miratuar vendimin për shtyrjen e afatit të procesit të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave deri me datën 24 maj 2024”.

Në vendim është sqaruar se tashmë regjistrimi do të vazhdohet vetëm nga stafi i rregullt i ASK-së.

“Sipas propozimit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, prej datës 18 deri më 24 maj 2024, regjistrimi/intervistat do të zhvillohen vetëm nga stafi i rregullt i Agjencisë së Statistikave të Kosovës i cili do të mbulojë tërë territorin e Kosovës për rastet kur identifikohet një individ apo ekonomi familjare që për çfarëdo arsye nuk mund të regjistroheshin më herët”.

Kurse regjistrimi i popullsisë për diasporën do të përfundojë në muajin gusht.

“Ndërkaq, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës, regjistrimi i diasporës, përmes portalit eDiaspora shtyhet deri më datën 31 gusht 2024”.

Në Kosovë më 5 prill ka nisur zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë, i njëjti do të përfundojë më 17 maj.

Krerët e shtetit kanë bërë thirrje tek qytetarët që të regjistrohen për shkak se ky proces vendos për shumë aspekte të rëndësishme për Kosovën.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.