Shqipëria

Qeveria shqiptare mohon lidhjet me ish-drejtorin e kundërzbulimit të FBI-së


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama mohoi lidhjet e mundshme mes tij (qeverisë shqiptare) dhe ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI-së, Charles McGonigal.

Ky i fundit, përfundoi në radarët e prokurorëve federalë për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveri të tjera të huaja.

Mes tyre renditeshin Bosnjë dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi.

“Çështja nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare, nuk ka lidhje me asnjë biznes të çfarëdollojshëm”, garantoi Rama.

Sipas kryeministrit, McGonigal ka qenë dhe mbetet miku i tij.

“Nëse ai ka një çështje me drejtësinë amerikane, lëreni të flasë drejtësia në Shtetet e Bashkuara. Unë nuk kam asnjë problem, përsa kohë qëndroj në këtë detyrë i marr parasysh të gjitha”, shtoi kreu i qeverisë shqiptare.

Prokurorët federalë po shqyrtojnë nëse McGonigal ka lidhje me qeverinë e Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe ndonjë “pagesë apo dhuratë” që i është dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Dy burime i thanë “Insider-it” se McGonigal ishte i afërt me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas një e-maili të rishikuar nga kompania mediatike, McGonigal përdori adresën e tij zyrtare të e-mailit të FBI-së për të tentuar të organizonte një takim mes Ramës dhe një firme amerikane.

Kjo e fundit, ishte menduar për t’u kontraktuar për një nismë kundër korrupsionit.

Por, kryeministri nuk i ka shkuar më tej kësaj tentative të zyrtarit amerikan nën motivimin e “marrëdhënies miqësore dhe jo të biznesit” duke mos pasur asnjë veprim.

Detajet u sqaruan nga një përfaqësues i kreut të qeverisë shqiptare për kompaninë amerikane.

“Ne nuk kemi asnjë ide për ndonjë juri të madhe dhe asnjë autoritet amerikan nuk na ka kontaktuar ndonjëherë për këtë. Nuk ka pasur kurrë takime me firma, dhurata, pagesa, rimbursime udhëtimi përpara ose pasi zoti McGonigal të largohej nga puna”, vëren zyrtari shqiptar.

Duke cituar Insider, FBI-ja gjithashtu nuk e kishte dhënë pëlqimin për këtë takim duke dhënë përshtypjen se McGonigal po përfundonte nën shqyrtim për veprimet e tij.

Ish-drejtori i kundërzbulimit të FBI-së nën shqyrtim për lidhjet me qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore