Shqipëria

Qeveria shqiptare do rrisë nga 1 janari çmimin e blerjes së energjisë për prodhuesit e vegjël


Qeveria shqiptare do të rrisë çmimin e blerjes së energjisë për prodhuesit e vegjël në vend nga 8.5 në 10 lekë/kWh.

Lajmi u bë i ditur nga zëvendës kryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e prodhuesve të energjisë elektrike, bizneseve të lidhura në tensionin e mesëm dhe atyre në tregun e lirë të energjisë u zbuluan disa prej vendimeve që do të aplikohen duke nisur nga data 1 janar i vitit 2023.

“Do të vijojmë të mbrojmë të gjitha bizneset e lidhura në tensionin e mesëm. Do të ofrojmë një çmim më të favorshëm të furnizimit me energji elektrike, krahasuar me çmimin e tregut edhe për bizneset të cilat prej vitit 2019 janë në treg të lirë”, shtoi zyrtarja shqiptare.

Sipas Ballukut, Qeveria shqiptare po bën dhe do të bëjë gjithçka për të minimizuar efektet e krizës energjetike tek sipërmarrësit, të cilët nxisin zhvillimin ekonomik dhe punësimin në vend.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi gjatë muajit tetor se po shqyrtohej mundësia për vendosjen e një tatimi për prodhuesit e energjisë elektrike.

“Po diskutojmë për vendosjen e një tatimi për prodhuesit e energjisë, sepse ata që e prodhojnë dhe e shesin kanë fitime marramendëse të cilat vijnë nga fati”, vërejti kreu i Qeverisë.

Sipas tij, taksa që duhet të vendoset është jo për të rritur të ardhurat në mënyrë abstrakte, por për t’u kaluar nga prodhuesit te njerëzit drejtpërdrejt.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tregoi sakaq se objektivi kryesor për vitin 2023 është garantimi i furnizimit me energji për qytetarët.

“Objektivi kryesor i buxhetit të vitit 2023 është që ne do të garantojmë furnizimin me energjinë elektrike dhe nuk do të rrisim çmimin duke mbajtur peshën e ruajtjes së këtij çmimi brenda buxhetit të shtetit”, theksoi Ibrahimaj.

Situata në Evropë

Evropa humbi rreth 1 trilion dollarë për shkak të rritjes së madhe të çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

Kështu bën të ditur kompania amerikane “Bloomberg”.

Afërsisht 1 trilion dollarë e vlerësuar nga agjencia bazuar në të dhënat e tregut është shuma totale e rritjes së çmimit të energjisë për konsumatorët dhe bizneset që u kompensuan pjesërisht nga paketat e ndihmës.

Edhe me rritjen e kapacitetit të importit të LNG-së (gazi i lëngshëm natyror), tregu pritet të mbetet i ngushtë deri në vitin 2026 kur të vihet në dispozicion kapaciteti shtesë i prodhimit nga SHBA-të në Katar. Kjo do të thotë se nuk do të ketë lehtësim nga çmimet e larta.

Për të parandaluar mungesat, Komisioni Evropian ka vendosur objektiva minimale të stokut.

Deri më 1 shkurt, rezervuarët duhet të jenë të paktën 45 për qind të mbushura për të shmangur shterimin deri në fund të sezonit të ngrohjes.

Nëse dimri është i butë, qëllimi është të lihet niveli i ruajtjes në 55 për qind deri atëherë.

Importet e LNG-së në Evropë janë në një nivel rekord dhe terminale të rinj lundrues po hapen në Gjermani për të marrë karburantin.

Blerjet e mbështetura nga qeveria e kanë ndihmuar Evropën të tërheqë mallra nga Kina, por moti i ftohtë në Azi dhe një rimëkëmbje potencialisht e fortë ekonomike pasi Pekini lehtësoi kufizimet e COVID-it mund ta bëjnë atë detyrë më të vështirë.

Importet e gazit të Kinës ka të ngjarë të jenë 7 për qind më të larta në 2023 sesa këtë vit, sipas Institutit të Ekonomisë së Energjisë të Korporatës Kombëtare të Naftës në det të hapur të Kinës.

Për vende si Gjermania, të cilat mbështeten në energji të përballueshme për të prodhuar produkte nga makinat deri te kimikatet, kostot e larta do të thotë humbje konkurruese ndaj SHBA-ve dhe Kinës.

Kjo ushtron presion mbi administratën e kancelarit Olaf Scholz për të ruajtur mbështetjen për ekonominë.

Sfida është të arrihet një ekuilibër midis mbajtjes së fabrikave në punë dhe ngrohjes së shtëpive në një afat të afërt pa shkatërruar stimujt për investime në energjinë e rinovueshme, e cila shihet gjerësisht si mënyra më e qëndrueshme për të dalë nga kriza energjetike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore