Shqipëria

Qeveria rinovon marrëveshjen me Microsoft-in për 2 miliardë lekë


Qeveria shqiptare ka rinovuar marrëveshjen me korporatën teknologjike “Microsoft” për një kosto prej më shumë se 2 miliardë lekësh.

Kjo, për realizimin e ndryshimit të projektit të partneritetit strategjik në fushën e teknologjisë së informacionit, e cila do të përballohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Lajmi u bë i ditur pas publikimit të VKM-ve, të hënën e 12 dhjetorit.

Autoritetet kanë autorizuar AKSHI-n për të lidhur marrëveshjet e parashikuara për zbatimin e projektit strategjik.

Marrëveshja me Microsoft është nënshkruar që në vitin 2007, dhe e amenduar dy herë më pas.

Sulmet e vazhdueshme kibernetike detyruan Qeverinë që të ndërhyjë menjëherë për t’i dhënë ekspertëve amerikanë më shumë akses në sistemet shqiptare.

Gjatë muajit tetor përmes një Akti Normativ, Këshilli i Ministrave vendosi të amendojë marrëveshjen me “Microsoft” për sigurinë kibernetike.

Kjo, duke zgjeruar fushat e angazhimit të ekspertëve të gjigandit amerikan sa i përket sistemeve mbrojtëse.

Ky parashikim ishte i përkohshëm dhe vetëm për vitin 2022, pasi autorizimi për negociimin dhe nënshkrimin e marrëveshjes së partneritetit strategjik, me “Microsoft Corporation”, u parashikua pikërisht në projektligjin “Për qeverisjen elektronike”.

Një prej pikave më të rëndësishme të Aktit Normativ ka të bëjë me varësinë e Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibemetike (i njohur si AKCESK), dhe legjislacionin që rregullon marrëdhënien e punës së punonjësve të këtij institucioni.

Ky institucion me Aktin Normativ, kalon në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit për shkak të rëndësisë kritike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore