Kosova

Qeveria po mashtron kur thotë se po kursehet buxheti me subvencionimin e librave, vlerëson Hoti


Ilustrim: Avdullah Hoti dhe Albin Kurti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se subvencionimi i prindërve për blerjen e librave për vitin shkollor 2024-2025 nuk është zgjidhja më e mirë “as për buxhetin e shtetit” dhe as për “prindërit e nxënësit”, meqë argumenti se po kursehet buxheti duke mos paguar shtëpitë botuese drejtpërdrejt nga buxheti, sipas tij, “është mashtrim”.

Përcaktimi për këtë formë të furnizimit me libra, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, nuk ka qenë asnjëherë “politikë e Qeverisë Kurti”.

Një gjë e tillë në vlerësimin e tij “është imponuar për shkak të dështimit të Qeverisë në kryerjen e prokurimit për blerjen e librave direkt nga shtëpitë botuese në dy vitet e fundit”.

“Kjo dëshmohet nga plani i prokurimit për 2024, të cilin MASHT e ka dorëzuar në Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) më 19 janar 2024. Shihni tabelën në rreshtin me ngjyrë të kuqe: ‘Blerja e librave për klasat 1-9 për vitin 2024/25’. Për këtë qëllim janë paraparë 9.47 milionë euro për të blerë 3.2 milionë copë libra, me çmim mesatar prej 3 euro për libër. Ky aktivitet i prokurimit është paraparë të fillojë më datë 28.06.2024”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Tabela e të dhënave e postuar nga Avdullah Hoti

Në dy vitet e fundit Hoti ka konsideruar se Qeveria e Kosovës po blen libra me pakicë, kështu duke dëmtuar buxhetin e shtetit dhe xhepat e familjarëve.

“Çdokush me dije elementare ekonomike e di se blerja e mallrave me shumicë kushton më lirë se blerja me pakicë. Dallimi përcaktohet nga marzha e fitimit e shitësve me pakicë. Në dy vitet e fundit, Qeveria Kurti ka kaluar në blerjen me pakicë. Kështu që, buxhetit të shtetit dhe familjeve po u kushtojnë disa milionë më shtrenjtë librat e nxënësve”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore