Kosova

Qeveria për takimin Kurti-QUINT: Folëm për Urën e Ibrit


Foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë takimit që ka pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Gjermani, SHBA, Itali, Francë dhe Britani e Madhe) dhe Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, kanë diskutuar për hapjen e Urës mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.

Kështu të paktën ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media të mërkurën.

“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në njoftim.

Përveç kësaj, bëhet me dije se është diskutuar edhe rreth zhvillimeve të fundit, situatën e sigurisë e të sundimit të ligjit dhe zhvillimin e gjithmbarshëm.

Në këtë takim, kryeministri ka qenë i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Nga ambasadorët kanë qenë ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ai i Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ai i Francës, Olivier Guerot, ambasadori i Italisë, Antonello De Riu dhe Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

Ndryshe, vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që kjo temë të trajtohet në dialog.

Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.

Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore