Rajoni

Qeveria në RMV ndryshon përqindjen e Balancuesit: Ulet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë – rritet i maqedonasve dhe serbëve


Ndërtesa e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, që drejtohet nga lideri nacionalist maqedonas, Hristjan Mickoski, përkatësisht Ministri për Administratë Publike, Goran Minçev, ka ndryshuar përqindjen e Balancuesit, përmes të cilit do të ulet përfaqësimi i shqiptarëve në administratë, ndërsa do të rritet ai i maqedonasve dhe serbëve.

Minçev ka pretenduar se deri më tani Ligji për të punësuarit në sektorin publik “nuk është respektuar”, sepse në përllogaritjet ishte përfshirë edhe diaspora.

Me ndryshimin që është bërë, përfaqësimi i maqedonasve nga 54,21 për qind sa ka qenë, rritet në 58,44 për qind, ndërsa i shqiptarëve nga 29,52 për qind bie në 24,30 për qind.

Turqit, sipas këtij ndryshimi, nga 3,98 për qind bien në 3,86 për qind, ndërsa romët nga 2,34 për qind rriten në 2,53 për qind.

Rritje kanë edhe serbët. Nga 1,18 për qind në 1,30 për qind, derisa vllehtë nga 0,44 në 0,47 për qind. Boshnjakët mbeten në kuotën e njëjtë me 0,87 për qind.

Nëse në disa institucion përfaqësimi është më i madh nga ajo që është e paraparë, Minçev ka thënë se nuk do të ketë shkarkime.

“Ata janë me marrëdhënie të rregullta pune, gjithsesi se do të mbeten në punë, megjithatë duhet treguar se në të kaluarën Balancuesi është abuzuar dhe kjo procedurë bëhet me qëllim që të kthehen planet vjetore për punësim dhe sugjerimet që ua japim institucioneve të sektorit publik që kanë dorëzuar plane të këtilla janë për pengimin e abuzimit të tillë të Balancuesit”, tha Minçev, transmeton “TV21”.

Ai pretendoi se në shumë institucione “ka abuzim” të Balancuesit ndërsa si shembull e përmendi gjendjen në vetë ministrinë të cilën e udhëheq.

“Për momentin nga të gjitha punësimet, nga 43 deri 45 për qind janë të punësuar nga komunitetet etnike që do të thotë se Balancuesi është abuzuar edhe në këtë ministrinë e re për administratë publike. Ky është objekt i revizionit, informacionet dhe analizat që i kemi në Ministrinë për administratë publike tregojnë se nga të gjitha punësimet rreth 18-19 për qind e kanë abuzuar”, deklaroi ai.

Në lidhje me paralajmërimet se Balancuesi do të shndërrohet në ligj, Minçev theksoi se deri në fund të këtij muaji do të hapet debat publik me qëllim, siç tha, të përpilohen ligje të zbatueshme.

Ndryshe, përqindja e përfaqësimit, sipas Balancuesit, ndryshohet kur merret parasysh vetëm popullata rezidente me çka do të ketë korrigjime të përfaqësimit të komuniteteve etnike në institucionet publike që do të dallojë nga përllogaritjet që i kishte bërë ministri i mëparshëm i Administratës Publike, Admirim Aliti, ku ishte përfshirë edhe diaspora.

Në lidhje me këtë vendim ka reaguar Arbër Ademi, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Përmes një postimi në Facebook, Ademi ka shkruar se po çmontohen të gjitha të arriturat e shqiptarëve deri më tani.

“Sa pa dinjitet, sa pa kurriz! Prej fillimi e kemi thënë, kjo Qeveri monoetnike e pa legjitimitet ndëretnik ka për qëllim demontimin e të gjitha të arriturave prej vitit 2001 e këndej, kuptohet duke shfrytëzuar si instrument listën e dytë të VMRO-s, ekipin B të saj-ВРЕДИ! Kjo që ka ndodh, nënkupton mijëra shqiptar më pak në administratë, gjykata e prokurori!”, ka shkruar Ademi.

Për Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut, që nga krijimi i saj, ka pasur akuza që do të zbatojë një politikë “anti-shqiptare”, për shkak se këtë retorikë partia që drejton ekzekutivin VMRO-DPMNE, e kishte theksuar gjatë fushatës zgjedhore.

Madje, VMRO-DPMNE-ja, si fituese e zgjedhjeve në kampin maqedonas, injoroi fituesin e zgjedhjeve në taborin shqiptar, “Frontin Evropian”, duke zgjedhur koalicionin humbës “VLEN”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore