Kosova

Qeveria ndan shtesat 100-euroshe për punëtorët e sektorit publik


Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen elektronike të mbajtur të mërkurën e 27 prillit ka marrë vendim për ndarjen e 7 milionë e 300 mijë eurove për shtesat prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit publik.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit.

“Sipas këtij vendimi ndahen mjete buxhetore në shumë prej 7.300.000,00€ (shtatë milionë e treqind mijë euro), për zbatimin e pikës 1.4 të Vendimit të Qeverisë Nr. 10/69, të datës 13.04.2022, si masë për shtimin e mbështetjes për qytetarët e Republikës së Kosovës, Masa 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim.

Shtesat prej 100 euro për punëtorët e sektorit publik, pritet të shpërndahen me pagat e muajit prill.

“Mjetet e ndara do të merren nga nën-programi “Programi i Ringjalljes Ekonomike” dhe ndahen për zbatimin e shtesës prej 100 Euro për punonjësit e sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit”.

Ilustrim.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi me 12 prill, se në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, të gjitha kategorive të pensionistëve, punëtorëve të sektorit publik e privat, si dhe studentëve do t’iu ndahen nga 100 euro shesë në muajin prill.

Familjet që përfitojnë asistencë sociale do të kenë po ashtu dyfishim të vlerës së saj për këtë muaj.

Sipas Kurtit, janë rreth 800 mijë qytetarë të Kosovës që do të përfitojnë nga këto shtesa të ndara nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.

Ndryshe, në web-faqen e Administratës Tatimore të Kosovës dhe në platformën E-Kosova të gjithë punëtorët e sektorit privat, studentët dhe pensionistët mund të aplikojnë për t’i marrë 100 euro shtesë për muajin prill, pasi kështu vendosi më 12 prill Qeveria e Kosovës në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore