Lajme

Qeveria miraton dy vendime lidhur me Marrëveshjet me Shqipërinë


Qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës, ka mbajtur të hënën në mbledhje elektronike përmes së cilës ka miratuar dy vendime që kanë të bëjnë me marrëveshjet me Shqipërinë.

I pari ka të bëjë me nismën për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunimin në lehtësimin e Procedurave në Pikat e Inspektimit Kufitar për produktet me origjinë jo Shtazore.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit ku edhe është bërë e ditur rëndësia e këtyre marrëveshjeve.

“Marrëveshja synon të promovojë tregtinë, heqjen e barrierave dhe lehtësimin e procedurave të kontrollit duke pasur parasysh marrëdhëniet e zhvilluara deri tash dhe duke synuar forcimin dhe shtrirjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë”.

Ndërsa vendimi i dytë ka të bëjë me Marrëveshjen për Bashkëpunim Arsimor dhe Shkencor me përfitim reciprok.

Gjithashtu, nga komunikate është thënë se nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për Bashkëpunim Arsimor dhe Shkencor do të jetë me përfitim reciprok.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën kishte bërë të ditur se me 14 qershor do të jetë mbledhja e përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kurti, gjatë fjalimit të tij ka thënë se kjo do të jetë mbledhja e tretë mes dy Qeverive në më pak se dy vjet.

Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërise mbledhjen e fundit së bashku e kishin mbajtur në vigjilje të festës së 28 nëntorit, të dielën e 27 nëntorit 2022.

Adresim gjatë mbledhjes kishte mbajtur kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pastaj mbledhja kishte vijuar me fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ndërsa, nga një fjalë përshëndetëse kishin mbajtur edhe kryetarët e grupeve parlamentare të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Një mbledhje e ngjashme që ishte mbajtur për të arritur marrëveshje mes dy qeverive shqiptare ishte mbajtur edhe më 20 qershor.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe delegacioni shqiptar u pritën me nderime të larta nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nën përcjelljen e ministrave të Qeverisë së Kosovës.

Pas saj, ishte bërë edhe nënshkrimi i marrëveshjeve të arritura ndërmjet dy qeverive.

Në këtë mbledhje ishin nënshkruar 19 marrëveshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore