Kosova

Qeveria miraton dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e të mërkurës ka miratuar draft dokumentin për themelimin e Fondit të Konfiskimit.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpalosur draftin e këtij dokumenti para kabinetit qeveritare.

Ajo ka theksuar se shtetet e tjera e kanë një fond të tillë të formuar dhe se është e nevojshme që një të tillë ta ketë edhe Kosova.

Mbledhja e Qeverisë.
Çka është Fondi i Konfiskimit?

Në draftin e ministrisë së Drejtësisë, janë radhitur disa prej shkaqeve të cilat janë pengesë për përdorim të pasurive të konfiskuar për  ripërdorim  shoqërorë, për kompensimin e viktimave të krimit, për ngritje të kapaciteteve profesionale në fushën e konfiskimit.

Sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme paraqet një sfidë mjaft të madhe, andaj lufta kundër kësaj dukurie është çështje praktike dhe jo vetëm teorike, e cila përcakton gatishmërinë e institucioneve  për ta luftuar kriminalitetin.

Mirëpo një luftë e suksesshme kërkon mjete financiare dhe një infrastrukturë e kompletuar ligjore e cila do të ndikonte në luftimin e suksesshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Paralelisht me krijimin e infrastrukturës ligjore për konfiskimin dhe administrimin e pasurisë së konfiskuar duhet të krijohet edhe baza ligjore për shpërndarjen e pasurisë së konfiskuar nga veprat penale.

“Në këtë drejtim siç është theksuar edhe me lartë  Republika e Kosovës nuk e ka ligj për Fondin e Konfiskimit një fakt i tillë rreth mungesës së Fondit të Konfiskimit është specifikuar edhe në analizat e bëra nga ekspertet e projektit të financuar nga BE-ja”.

“Në mbështetje të mëtejshme të institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm,  ku theksohet se: “Që nga gushti i vitit 2017, pothuajse tre vjet pas raportit të projektit ‘PECK’, Kosova ende nuk ka themeluar një fond të pasurive të konfiskuara”, është thënë në draftin e MD-së.

Mungesa e një politike të përdorimit të pasurive të konfiskuara është specifikuar edhe nga akterët ndërkombëtarë dhe krijimi i saj është paraparë si çështje urgjente.

Aktualisht, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, trajton shfrytëzimin e pasurisë se konfiskuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore