Lajme

Qeveria “me ndërgjegje të pastër” ndan edhe 40 milionë euro për rrymën në Veri


Foto nga Albanian Post: Albin Kurti

Besnik Bislimit (zëvendëskryeministër) iu desh të zbulojë një terren të paprekur jashtë dimensioneve të logjikës për të argumentuar se përse marrëveshjen për energjinë, që dikur e kritikonin, e nënshkruan (kujtoni shembullin me: nëse i ke 23 vjet dhe kalojnë 4 vjet, s’mund te thuash prapë se i ke 23 vjet), kurse Albin Kurtit (kryeministër) iu desh të pranojë se “është nënshkruar një marrëveshje e keqe në Bruksel” me të vetmin qëllim që të arrihet një situatë ku më Kosova nuk do të paguajë për serbët në veri, por këtë të mërkurë u kuptua se asgjë nuk ka ndryshuar.

Fizkulturat e argumenteve dolën të jenë bërë kot. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se vetë Kurti ka bërë kërkesën që të ndahen prapë 40 milionë euro që të paguhet rryma e papaguar e konsumatorëve serbë në Veri.

“Duke marrë parasysh që ruajtja e marrëveshjes me ENTSO-E (Rrjeti i Transmisionit Evropian të Sistemit Operativ për Energji Elektrike) është thelbësore për Kosovën dhe për ruajtjen e sistemit elektro-energjetik, ne si ministri me kërkesën e Kurtit kemi bërë kërkesë te Ministria e Financave dhe ministria e ka propozuar dhe sot kem ndarjen e 40 milionë eurove për shlyerjen e këtyre obligimeve”, tha Rizvanolli.

Situata është e rëndë tregoi ministrja. “Janë krijuar obligime të cilat duhet të shlyhen dhe është e domosdoshme të shlyhen që marrëveshja e kyçjes të vazhdojë”.

Tani, tha Rizvanolli e shqetësuar, “është momenti kur 23 shtetet që janë nënshkruese do të vendosin nëse do ta vazhdojnë marrëveshjen e kyçjes për Kosovën”.

Gjithashtu, tregoi se “përderisa ne jemi në një gjendje ku gjatë vitit kemi shkaktuar inbalance të mëdha ndaj sistemit interkonektiv”.

Duart me baltë, ndërgjegjja e pastër

Albin Kurti kishte zgjidhje se si të stopohet mosfaturimi i shpenzimeve të energjisë elektrike në Veri dhe të fillohet me pagesë të rrymës nga qytetarët serbë atje.

Madje zgjidhja ishte e thjesht.

Problemi është se këtë zgjidhje Kurti e kishte në vitin 2018 dhe kryeministër nuk ishte.

“Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat në veri atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja edhe furnizimi. Nëse s’e bën KEDS-i duhet ta bëjë Qeveria”, pati thënë Kurti.

Diku katër vjet më vonë dhe nga pozita e kryeministrit, kjo zgjidhje e thjesht nuk po përmendet më.

Çka e ka komplikuar punën nuk dihet, porse Qeveria po vazhdon të ndajë shuma të njëjta për të mbuluar shpenzimet, ndryshe Kosova shkëputet nga rrjeti evropian i energjisë.

Me referenca filozofike nga Jean-Paul Sartre, Kurti argumentonte se për shkak të pozicionit ku qëndronte puna me energji, u desh të zhyten pak në baltë, por me qëllimin e vetëm fisnik për të mbajtur ndërgjegje të pastër.

“E kemi të trashëguar këtë gjendje dhe po bëjmë më të mirën e mundshme. A i kemi duart me baltë? Po, sepse Kosovën e këna gjetë në baltë, ama ndërgjegjen e kemi të patër”, recitoi kryeministri.

Pikërisht me këto duar të përlyera, u ndanë 40 milionë euro të pastra për konsumatorët serbë në veri.

Në anën tjetër, Udhërrëfyesi i nënshkruar në Bruksel për impelemtnimin e marrëveshjes për energji nuk u respektua nga kompania serbe e cila duhej t’i dorëzonte të dhëna Zyrës së Rregulltaorit të Energjisë në Kosovë për numrin e konsumatorëve në Veri, pasi që ZRrE-ja ta licenconte.

Dorëzimi i të dhënave nuk ndodhi përkundër licencimit dhe marrëveshja po pret kalimin e 100 ditëve për t’u quajtur edhe zyrtarisht e dështuar.

Marrëveshja e arritur në Bruksel për energjinë nuk po respektohet – Elektroseveri s’u ka qëndruar besnik afateve

Ndarja e parave për konsumatorët e papërgjegjshëm serbë në Veri është shkelje e të drejtave të njeriut

Kohë më parë rryma e shpenzuar në Veri u faturohej direkt në faturat e tyre qytetarëve të pjesës tjetër të vendit si kosto shtesë.

Por, Avokati i Popullit kishte ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës ë Rregullatorit për Energji në Prishtinë në vitin 2012, i cili sipas ZRRE-së ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore, qytetarëve që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.

“Krahas padisë për konfliktin administrativ ka paraqitur edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të ZRRE-se dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2017, e ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit dhe që nga atëherë qytetarët e Kosovës nuk u faturohet rryma e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit”.

Çështja është se qytetarët prapë e paguajnë rrymën në veri, por vetëm se tash indirekte përmes vendimeve të qeverisë, e cila tërheqë para nga buxheti i mbushur po nga taksat e qytetarëve.

Takimi ne Bruksel

Me 18 gusht pritet takimi i radhës Kurti-Vuçiç në Bruksel. Besohet se atje do të bisedohet edhe për mos-respektimin e marrëveshjes për udhërrëfyesin.

Derisa kjo marrëveshje të funksionalizohet, qeveria do vazhdojë t’i baltosë duart në konton e shtetit me qëllim që të paguajë shpenzimet e konsumatorëve në veri që refuzojnë të fusin duart në xhepa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore