Lajme

Qeveria me 2 miliardë e 484.6 milionë euro të hyra gjatë vitit të kaluar


Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se 2 miliardë e 484.6 milionë euro ishin grumbulluar në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2021.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2021 ishin 2 484.6 milion Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 67% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura 13%; aktivet dhe detyrimet financiare 11%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2021 ishin 2 376.4 milionë euro.

Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë kompensimi i punëtorëve 27%, kontributet sociale dhe përfitimet 26%, konsumi i ndërmjetëm 14%, formimi i kapitalit bruto 13%, ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategoritë të tjera të shpenzimeve.

Publikimi paraqet një pasqyrë të të hyrave dhe shpenzimeve për periudhën 2015 – 2021, bazuar në mbledhjen e të dhënave administrative dhe kalkulimeve të ASK-së.

Publikimi është përgatitur sipas Udhëzuesit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane.

Burimet e të dhënave janë: Ministria e Financave – Departamenti i Thesarit dhe Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore