Lajme

“Qeveria Kurti 2” synon që diasporës t’ia mundësojë votimin në ambasada


“Numri i madh i raportuar i votave të pavlefshme nga mërgata është dëshmia përfundimtare që procesi i votimit nga jashtë duhet të ndryshohet menjëherë”, ka shkruar në Facebook, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu.

‘E drejta për të votuar është e drejtë dhe njësi themeltare e demokracisë, për çka shteti demokratik dhe institucionet e tij kanë përgjegjësi që të gjejnë mënyrat më të përshtatshme për të garantuar ushtrimin e saj”.

Ai thotë se faji për votat e pavlevshme nuk është i diasporës, por institucioneve.

“Nëse nga rreth 200 mijë të regjistruar për votim nga jashtë dhe qindra euro pagesa për shërbim postar, një numër shumëfish më i vogël i tyre mbërrijnë në Kosovë me kohë, e shumëfish më i vogël numërohen si vota të vlefshme atëherë këtu problemi është sistemor e institucional”.

Kryeziu ka premtuar se posa të bëhet kryeministër lideri i kësaj partie, Albin Kurti, mërgata nuk do të votojnë më përmes postës.

“Me t’u formuar institucionet, ndër hapat e parë që Lëvizja Vetëvendosje do të ndërmarrë në Kuvend është ndryshimi i ligjit ashtu që mërgata të ketë të drejtë të votojë edhe në ambasada dhe konsullata të Republikës së Kosovës”.

Të dielën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka aprovuar deri më tani më shumë se 16 mijë zarfe ndërkaq ka refuzuar gjashtë mijë e 800 të tjera me vota nga diaspora.

Sipas KQZ-së, më shumë se pesë mijë prej zarfeve janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore