Lajme

Qeveria kurdis konkursin për Inspektorë me qëllim të punësimit të zyrtarëve të partisë e militantëve, Albanian Post zbulon emrat


Foto nga Albanian Post

Ish-kandidatë për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-kandidatë për asamble komunale nga Lëvizja Vetëvendosje, zyrtarë të qendrave të Lëvizjes Vetëvendose e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje është mbushur lista e personave të cilët kanë kaluar fazën fillestare dhe janë ftuar në intervistë që të zënë një nga 27 vendet e lira të punës si Inspektor në konkursin e kurdisur të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Albanian Post pati raportuar qysh me 20 korrik se MINT përmes një arsyetimi të pazakontë dhe pa bazë ligjore anuloi konkursin e brendshëm për 27 inspektorë.

Dyshimet ishin se konkursi u anulua meqë po kurdisej nga pushteti që të dështonte qëllimisht si i brendshëm, për të hapur konkurs të jashtëm dhe kështu të krijohej mundësia e punësimit të militantëve.

Ashtu edhe ndodhi.

Albanian Post ka siguruar listën preliminare të kandidatëve që do të thirren për t’iu nënshtruar intervistimit, pasi kanë kryer “suksesshëm” fazën e parë të testit me shkrim dhe nga verifikimet fillestare të mediumit një numër i madh i kandidatëve i takojnë Lëvizjes Vetëvendosje.

Në listën e ngushtë është futur Flatron Hasani, ish kandidat i Vetëvendosjes për Komunën e Zubin Potokut.

Hasani është përzgjedhur në mesin e qindra kandidatëve duke kaluar fazën e parë të rekrutimit, për t’iu nënshtruar intervistës.

Flatron Hasani, ish kandidat i Vetëvendosjes për Komunën e Zubin Potokut.

Ai nuk do të kishte mundësi të aplikonte fare, sikur ministrja Rozeta Hajdari të mos e anulonte pa asnjë arsye konkursin e brendshëm.

Ministrja, në bashkëpunim me Kryeshefen e inspektoratit, Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti, ua pamundësojë aplikimin zyrtarëve me përvojë dhe krijoi mundësinë për të aplikuar persona partiak si Hasani.

Por, ai s’është i vetmi.

Albanian Post po ashtu ka gjetur se në listë është edhe Valentina Alidema, anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes, dega Viti.

Valentina Alidema, anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes, dega Viti

Rrjeti social Facebook i Alidemës është dritare e partisë, ku shpërndahen materiale të shumta të partisë.

Në listën e ngushtë është edhe Ardit Xhaferi nga Qendra e Vetëvendosjes në Prizren.

Xhaferi, që në profil të Facebook-ut mban foton e Albin Kurtit, shihet në fotografi me deputetin e Vetëvendosjes Arbër Rexhaj.

Qendra e Vetëvendosjes në Prizren: Ardit Xhaferi, deputeti i VV-së Arber Rexhaj dhe aktiviste te tjere

I suksesshëm në testin me shkrim ka rezultuar edhe Lirim Bicurri nga Gjakova, pjesë e partisë së Mimoza Kusarit “Alternativa”.

Bicurri ishte kandidat për asamble komunale me llogon e Vetëvendosjes në vitin 2021.

Lirim Bicurri

Tash është kandidat në listën e ngushtë për ta fituar pozitën e inspektorit në ministrinë që drejtohet nga Rozeta Hajdari.

Një tjetër kandidat për inspektorë në MINT është edhe Adnan Reka.

Reka është asamblist në Kuvendin Komunal të Kaçanikut nga Vetëvendosje.

Adnan Reka

Albanian Post ka gjetur edhe shumë emra që kanë lidhje me Vetëvendosjen dhe me deputetë e ministra të kësaj partie (ende në fazën e verifikimit të plotë).

Nga 114 kandidatë që kanë mbërritur në listën e ngushtë për t’u punësuar, një pjesë dërrmuese dalin të kenë lidhje me pushtetin.

Konkursin për 27 inspektorë të tregut e kishte shpërndarë edhe kryeministri dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, duke i thirrur qytetarët që të aplikojnë.

Përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, Kurti i inkurajonte të rinjtë që të aplikonin, por nga lista e emrave kuptohet se thirrja e kryeministrit ishte për anëtarët e partisë së tij dhe militantëve.

“Angazhimi në fushën e inspektimit bartë përgjegjësi të lartë dhe kontribut të veçantë për vendin, prandaj i inkurajojmë të gjithë të interesuarit me kualifikimet e nevojshme që të aplikojnë”, shkruante Kurti në Facebook.

Si u bë kurdisja?

Ministrja e Vetëvendosjes Rozeta Hajdari, që drejton Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, fillimisht e shpalli konkursin e brendshëm për 27 inspektorë, më pas e anuloi me arsyetimin se nuk i plotësonte askush kriteret.

Këtë e bëri pa bazë ligjore. Gjithçka po bëhej për t’i hapur rruga punësimit të militantëve të Vetëvendosjes.

Më 1 mars 2023 ministria e Hajdarit shpalli konkursin. Më 18 prill të po të njëjtit vit e anuloi.

Përkundër që në të aplikuan shumë zyrtarë, komisioni i ministrisë vlerësoi se askush nuk i plotësonte kriteret.

Proceduralisht ministria obligohej ta ndiqte këtë rrugë, për të ardhur deri te shpallje e konkursit të jashtëm. Për realizimin e këtij veprimi, Rozeta Hajdari, u ndihmua nga atëherë kryeshefja e inspektoratit Lebibe Haliti, motra e deputetit të Vetëvendosjes, Enver Haliti.

Pasi e dështuan konkursin e brendshëm, më 14 korrik 2023 ministria hapi konkursin e jashtëm.

Për ta vërtetuar paligjshmërinë e anulimit të këtij konkursi Albanian Post ka folur me njërin nga konkurrentët që është pjesë e MINT, por që nuk ka pranuar të flas me emër, për shkak të rrezikut të hakmarrjes.

Ai ka treguar se në fillim janë ftuar për intervistim, por rrugës e kanë kuptuar se gjithçka ishte vetëm një fars nga ana e ministrisë, sepse po bëhej gati që konkursi të shpallej i jashtëm.

“Motra e deputetit (Lebibe Haliti) në bashkëpunim me kabinetin e ministres kanë anuluar konkursin e brendshëm për t’i hapur rrugë konkursit të jashtëm për rekrutimin e militantëve. Pa kurrfarë baze ligjore është anuluar ky konkurs dhe kjo vërtetohet shumë lehtë duke lexuar arsyetimin e anulimit. Si ka mundësi që nga afër 100 persona qe kemi konkurruar, askush nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit, kur dihet që të gjithë jemi pjesë e administratës shtetërore për shumë vjet. Ka pasur aplikues që kanë pasur përvojë afër 20 vjet”, ka thënë njëri nga konkurrentët në këtë konkurs.

“Të paktën vetëm nga stafi i MINT kanë aplikuar afër 30 zyrtarë dhe të gjitha i kanë plotësuar kriteret, mirëpo rrugës e kemi kuptuar se gjithçka është e kurdisur dhe as nuk jemi ftuar për intervistim”, ka treguar ky zyrtar për AP.

Se sa është absurd pretendimi që asnjë nga kandidatët s’i plotësojë kushtet për asnjë nga vendet e lira, mjafton të prezantohen kriteret e konkursit të brendshëm që i kishte vendosur MINT.

“Kushtet për lëvizjen brenda kategorisë dhe kërkesat e veçanta:  1.Të jetë nëpunes civilë i të njëjtës kategori për të cilën aplikon. 2.Të jetë nëpunes civil i konfirmuar në detyrë në rastin e lëvizjes brenda kategorisë profesionale. 3.Të mos jetë ndëshkuar me ndonjë masë disiplinore që nuk është shuar ende. 4.Të jetë vlerësuar të paktën ‘mire’ për rezultatet në punë, të paktën gjatë dy viteve te fundit të vlerësimit. 5.Në rastin e konkurrimit për lëvizje brenda kategorisë profesionale të jetë vlerësuar të paktën mirë në vitin e fundit”, thuhet në kriteret e konkursit të brendshëm që e anuloi pushteti.

Sipas ligjit, kushdo që ka pozitën ekuivalente me atë të inspektorit dhe ka 3 vite përvojë pune në administratën publike dhe ka 3 vlerësime pozitive nga eprori i tij/saj plotëson kriterin e konkursit.

Kjo dëshmon se nuk ekzistonte asnjë arsye për anulimin e konkursit të jashtëm, përveç faktit se po përgatitej punësimi njerëzve të partisë.

Rozeta Hajdari anuloi konkursin e brendshëm për 27 inspektorë pa bazë ligjore, i hap rrugë rekrutimit të militantëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore