Kosova

Qeveria kundër QUINT-it: Ura duhet të hapet, ne jemi për lëvizje të lirë


Albin Kurti me ambasadorët e QUINT-it

Ndonëse shtetet e QUINT-it (SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia) dolën kundër që ura mbi lumin Ibër, e cila bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut, të hapet për qarkullimin e automjeteve në këtë fazë, Qeveria e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka thënë se “ura duhet të hapet”.

“Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”, thuhet në komunikatën për media të Qeverisë së Kosovës pas takimit që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, realizoi të premten me ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë.

Qeveria e Kosovës, sipas komunikatës për media, është edhe për lëvizje të lirë edhe për integrim të qytetarëve.

“Ura është simbol i lëvizjes së lirë, e që është vlerë dhe liri themelore e Bashkimit Evropian. Ura është simbol i integrimit, e që është punë e përbashkët e Kosovës me partnerët tanë”, potencohet në komunikatë.

I shkurtër në sqarim dhe mjaft i drejtpërdrejtë në kërkesë u paraqit të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili njoftoi se qëndrimi i shteteve të QUINT-it (SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë) dhe i NATO-s është kundër që ura mbi lumin Ibër, e cila bashkon Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut të hapet për qarkullimin e automjeteve në këtë fazë.

“Përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara, së bashku me ambasadorin e BE-së në Kosovë, u takuam sot me kryeministrin Kurti për ta njoftuar se qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim në statusin e tanishëm të Urës së Mitrovicës në këtë kohë”, tha Hovenier për gazetarë pas takimit.

Me këtë qëndrim QUINT-i doli kundër synimeve të Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.

Megjithatë Qeveria e Kosovës, sipas komunikatës për media, ka insistuar në këtë vendim, duke potencuar se gjatë takimit Kurti ka paraqitur para ambasadorëve planin e Qeverisë për hapjen e urës së Mitrovicës.

“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.

Kurti në takim ndër të tjera ka cituar edhe planin e BE-së për rivitalizimin e urës ku theksohet se ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë.

“Në po atë plan thuhet se ‘riviitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim’. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”.

Diskutimet për urën janë aktualizuar në muajt e fundit, pas thirrjeve në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, tha se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, vlerësoi se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë.

Kundër një qasjeje të tillë ka dalë së fundmi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vlerësimin e së cilës kjo çështje nuk duhet të jetë temë e dialogut.

“Çështja e urës nuk duhet asesi të bëhet temë e dialogut me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë. Vuqiçi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës”, shkroi ajo në platformën sociale, Facebook.

Ura e Ibrit, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë.

Në urën mbi Ibër patrullojnë ushtarët italianë të KFOR-it, misionit të NATO-s në Kosovë, ndërsa afër janë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore