Lajme

Qeveria kërkon nga BE-ja largimin e masave “të padrejta”: Kosova përmbushi obligimin e saj


Foto: Radio Evropa e Lirë.

Qeveria e Kosovës, ka kërkuar sërish nga Bashkimi Evropian që t’i tërheq masat “e padrejta”, pas mbajtjeve të zgjedhjeve në katër komunat veriore të dielën e 21 prillit, kjo pasi të njëjtit konsiderojnë që tashmë obligimet nga ana e Kosovës janë përmbushur.

“Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në komunikatë për media.

Nga pushteti, është thënë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktual pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023.

“Procesi filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote”.

“Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procesin demokratik, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”.

Tutje, theksohet se si Qeveri janë të informuar për presionin që ka ushtruar Beogradi ndaj qytetarëve serbë në katër komunat veriore.

“Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”.

Ndërsa, është premtuar gatishmëri për të bashkëpunuar me kryetarët aktual të komunave në Veri.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim”.

Një proces i nisur mëngjesin e 21 prillit, suksesi i të cilit do të përcaktonte rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve politike në pjesën veriore të Kosovës, dështoi që në start për shkak të bojkotimit në masë të komunitetit serb në Kosovë.

Derisa katër kryetarët shqiptarë të komunave veriore të banuara me shumicë serbe do të vazhdojnë mandatin për të paktën edhe një vit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi të dielen në mbrëmje se kriteri prej 50 për qind plus një votë në katër komunat veriore të vendit – Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – nuk është përmbushur dhe rrjedhimisht, mini-referendumi kushtetues për largimin e katër kryetarëve shqiptarë nga pozita udhëheqëse u shpall i dështuar.

Një numër i vogël i qytetarëve në komunat veriore shfrytëzoi të dielen të drejtën e votës për të votuar për ose kundër shkarkimit të kryetarëve aktual.

Në kulmin e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë, partia kryesore e serbëve të Kosovës vendosi që edhe njëherë t’u bëjë thirrje qytetarëve të komunitetit serb në veri që të mos u përgjigjen proceseve demokratike në vend.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore