Lajme

Qeveria irakene nuk parashikon luhatje të çmimit të naftës


Qeveria e prodhuesit të dytë më te madh të naftës në Organizatën e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Irakut, tha se çmimet e naftës së papërpunuar, do të qëndronin rreth 65 dollarë për fuçi edhe në muajt e ardhshëm.

Gjithashtu ajo njoftoi se po konsideron blerjen e aksioneve të kompanisë amerikane të naftës, Exxon Mobil Corp, në një nga burimet e naftës më të mëdha në botë.

OPEC-u dhe 23 aleatët e saj, ndryshe të njohur si OPEC +, do të vazhdojnë përpjekjen të mbajnë çmimet e naftës së papërpunuar “brenda mesatareve normale”, u tha Ministri i Naftës në Irak, Ihsan Abdul Jabbar, gazetarëve në Bagdad.

“Nuk ka përse të shqetësohemi për një rënie të çmimit të naftës”.

Komentet sugjerojnë që OPEC + mbetet i sigurt në lidhje me parashikimin e kërkesës për energji, me gjithë rritjen e rasteve të coronavirus-it në Indi, importuesi i tretë më i madh i naftës.

Aksionet e Exxon

Bagdadi mund të përfundojë duke blerë 32.7% të aksioneve të Exxon në fushën e naftës West Qurna-1, në Irakun jugor, tha ministri.

Kompania amerikane po planifikon të shesë aksionet e saj në këtë zonë, e cila ka rezerva të naftës prej më shumë se 20 miliardë fuçi. Arsyeja e shitjes së aksioneve bëhet pjesërisht për të zvogëluar borxhin e akumuluar vitin e kaluar.

Ministri gjithashtu tha se Iraku do të shpenzonte 3 miliardë dollarë në pesë vitet e ardhshme për të rritur prodhimin e gazit natyror me rreth 40%, apo në 950 milionë metra kub në ditë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore