Lajme

Qeveria gjermane zotohet të rregullojë ligjin për klimën pas vendimit të gjykatës


Qeveria gjermane njoftoi të premten e 30 prillit se do të rregullojë me shpejtësi ligjin e saj duke synuar të frenojë ndryshimin e klimës. Kjo, pasi gjykata e lartë e vendit vendosi që legjislacioni ekzistues vendos një barrë të padrejtë për brezat e rinj.

Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë tha të enjten se qeveria duhet të përcaktojë qëllime të qarta për uljen e emetimeve të gazeve serë pas vitit 2030.

Vendimi ishte një fitore për aktivistët, të cilët kishin argumentuar se masat e paraqitura deri më tani janë të pamjaftueshme për të përmbushur qëllimin e marrëveshjes së klimës së Parisit për të mbajtur ngrohjen globale shumë më poshtë se 2 gradë celsius, idealisht jo më shumë se 1.5 C deri në 2100.

“Kjo është një fitore e madhe për të rinjtë që ngritën padi”, tha zëdhënësi i qeverisë Steffen Seibert, por shtoi se gjykata kishte miratuar parimin themelor prapa legjislacionit të miratuar dy vite më parë.

Ligji për klimën detajon se si vendi do të ulë emetimet e tij të gazrave serë me 55% nga nivelet e vitit 1990 gjatë dekadës së ardhshme, por jo për periudhën nga 2031 në 2050, kur Gjermania dëshiron të ndalojë emetimin e më shumë sesa mund të kapet përmes mënyrave natyrore ose teknologjike.

“Qeveria gjermane do të bëjë gjithçka është e mundur për të propozuar një ligj në këtë periudhë legjislative. Kjo, për të zbatuar pikat thelbësore të vendimit”, tha Seibert, duke shtuar se Kabineti do të diskutojë çështjen javën e ardhshme.

Aktivistët klimatikë e kanë përshkruar vendimin si një “shuplakë në fytyrë” për qeverinë gjermane dhe kancelaren Angela Merkel e cila nuk po kandidon për një mandat tjetër në zgjedhjet federale të shtatorit.

Merkel ishte ministre e Mjedisit të Gjermanisë nga 1994 në 1998 dhe mori pjesë në luftën kundër ndryshimit të klimës si kancelare nga 2005 e këtej, megjithëse kritikët thonë se ajo shpesh bënte një sy qorr për ndotjen e brendshme.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit tha se propozimet për rregullimin e ligjit do të përfshinin “një shpërndarje të drejtë të përpjekjeve për mbrojtjen e klimës midis brezave”, por hodhi poshtë idenë e miratimit të një ‘buxheti karboni’ fiks të cituar nga gjykata.

“Parisi shprehimisht ra dakord për një qasje tjetër”, tha Nikolai Fichtner, duke shtuar se ideja e rritjes graduale të ambicieve të dakordësuara në kryeqytetin francez gjashtë vite më parë ishte më e mirë se një buxhet fiks, i cili mund të çonte në ndërprerje të menjëhershme për industrinë gjermane.

Përshtatur nga Independent për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore