Qeveria frikësohet, largon nga rendi i ditës rehatimin e kundërligjshëm të Irfan Lipovicës – për momentin

Foto: Albanian Post

Altina Marmullaku
14.08.2024 17:54
Loading Icons...

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës e ka pasur në rend dite shqyrtimin e propozim-vendimit për themelimin e Komisionit ad hoc të pranimit për Pozitën e Kategorisë së Lartë Drejtuese “Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Akredimit të Kosovës”, pozitë kjo për të cilën raportoi Albanian Post se i përzgjedhur është Irfan Lipovica – i cili po ashtu është ish i arrestuar dhe person nën hetime për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore.

Në rendin e ditës që ishte publikuar më 9 gusht në pikën e 18-të, figuronte shqyrtimi i këtij propozimi por në mbledhjen e të mërkurës s’është miratuar asnjë vendim për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Pas raportimit të Albanian Post më 6 gusht, ekzekutivi e ka ndryshuar rendin e ditës në këtë mbledhje duke e vendosur si pikë të 18-të zëvendësuese “Shqyrtimin e propozim vendimit për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë nr.10/68 të datës 23 mars 2022 (MPB)”.

Rendi i ditës i mbledhjes së Qeverisë së Kosovës i publikuar më 9 gusht.

Raportimi i Albanian Post

Ish i arrestuari dhe personi nën hetime për rastin e keqpërdorimit me rezerva shtetërore, Irfan Lipovica, përmes një konkursi të kurdisur është përzgjedhur për fazën finale nga ministrja Rozeta Hajdari që të marrë pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm, apo Kryeshefit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Akreditimit, agjenci shtetërore kjo nën Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përgjegjëse për akreditimin e laboratorëve shtetërorë e privatë në Kosovë.

Në dokumentin që kishte siguruar Albanian Post, i datës 5 gusht 2024, njoftohet se “në listën e kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e përgjithshme e që vazhdojnë procedurën e mëtejme të rekrutimit për pozitën e punës ‘Drejtor i Përgjithshëm’ janë Irfan Lipovica dhe Zef Dedaj”.

Siç ka mësuar Albanian Post, Dedaj është vendosur aty vetëm sa për të plotësuar kushtin ligjor dhe për të vazhduar me procedura të përzgjedhjes, sepse atij i është premtuar një pozitë tjetër brenda ministrisë, ajo e Kryeshefit në Agjencinë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA).

“Askush nuk dëshiron të punojë me të” – Pasi ia lanë punën 12 këshilltarë e 2 shefa kabineti, Rozeta Hajdari emëron shoferin këshilltar politik

Përse u arrestua Irfan Lipovica?

Lipovica ishte arrestuar me 18 gusht të vitit të kaluar, bashkë edhe me zyrtarin tjetër Hafiz Garën dhe afaristin Ridvan Muharremi.

Lipovica dhe Gara dyshohen për veprat: “keqpërdorim i detyrës zyrtare” si dhe “dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”.

Për Lipovicën, në dosjen e Prokurorisë, thuhet se ekzistojnë dyshimet e bazuara se nga muaji shkurt i vitit 2022, në Prishtinë, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, në cilësinë e personit zyrtar, me pozitë zv.sekretar i përgjithshëm, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe shkaktim të dëmit të buxhetit të Republikës së Kosovës, ai ka tejkaluar autorizimet ligjore të parapara për pozitën që e ka ushtruar.

Sipas Prokurorisë, Lipovica me dijeni të plotë ka lejuar që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të anashkalohet procedura e hapur e prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Lipovica, me 25 shkurt 2022, siç sqaron dosja e tij në Prokurori, kishte adresuar në Qeverinë e Kosovës kërkesën për përjashtimin e procedurave të rregullta të prokurimit si dhe klasifikimin e kësaj procedure si “sekrete”.

E gjithë kjo me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.

Më pas, duke u bazuar në një vendim të Qeverisë së Kosovës, i cili e kishte bazën në kërkesën e kundërligjshme të të pandehurit, ka nxjerrë vendimin për formimin e komisionit për negocimin e kontratave për furnizimin me mallra të rezervës shtetërore për vitin 2022.

Me këtë vendim, sipas Prokurorisë, është anashkaluar procedura e hapur e prokurimit publik.

Prokuroria sqaronte se më pas, edhe përkundër faktit se krijimi i këtij komisioni nuk kishte bazë ligjore, i pandehuri në drejtim të funksionimit të këtij komisioni për negocim me operatorin ekonomik “Yafe Turizm Inseat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” dhe “Xanto SP” ZO.O. In, kishte anashkaluar në tërësi dy anëtarët e komisionit.

Sipas Prokurorisë, kjo i kishte mundësuar të pandehurit Ridvan Muharremi që të luajë rolin e ndërmjetësuesit ndërmjet MINT dhe operatorit ekonomik, përkatësisht firmave nga të cilat do të siguroheshin produktet e rezervës shtetërore.

Siç dihet, nga veprimet kundërligjore të Lipovicës, buxheti i Kosovës ishte dëmtuar së paku 600 mijë euro, meqë pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer, këto produkte nuk kanë ardhur asnjëherë në Kosovë.

Ashtu siç sqaronte dosja e prokurorisë, ishte paraparë furnizimi në sasi prej 10 mijë tonë me grurë çmim 4 milionë e 834 mijë e 778 euro, pastaj 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, me çmim prej 276 mijë euro, shuma këto të paguara në tërësi në formë të avansit, por përkundër faktit se pagesat ishin realizuar, MINT kishte pranuar 52 tonë më pakë grurë e vaji dhe sheqeri nuk ishin sjellur fare.

“Si pasojë e këtyre veprimeve buxheti i Republikës së Kosovës, i destinuar për rezerva shtetërore, është dëmtuar në vlerë prej 601 mijë e 940 euro” – thuhej në dosjen e Prokurorisë.

E gjithë kjo humbje kishte ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të kundërligjshme fillimisht të Lipovicës për kontraktim të fshehur të operatorëve ekonomikë, përmes Ridvan Muharremit, biznesmen i afërm i qeverisë.

Më vonë do kuptohej se kompania e kontraktuar polake për vajin e sheqerin ishte një kompani e një mashtruesi të mirënjohur polak me emrin, Tomasz Tokarski.

Ai ishte bërë i njohur në Poloni me një skemë mashtrimi, kur u kishte vjedhur para polakëve duke aluduar se ka gjetur një serum që shëron kancerin. Lajmet për mashtrimet e Tokarskit janë gjithandej mediave polake.

Kurse kompania turke e cila nuk e solli grurin në shifrën e kontraktuar, gjithashtu ishte një kompani pothuajse fantomë, e cila dilte se merret me ndërtim e jo me transport të grurit.

Albanian Post ka kontaktuar me Lipovicën, por ai ka refuzuar ta komentojë “garën” e tij për këtë pozitë. I pyetur nga AP, ai tha se nuk komenton asgjë dhe ka kërkuar t’i referohemi “Zyrës për Informim”.

“Rregullorja e potencon mënyrën e komunikimit për institucion. Drejtohuni Zyrës për Informim të Ministrisë”, ka deklaruar.

Kurse Rozeta Hajdari nuk ka pranuar fare t’u përgjigjet thirrjeve të mediumit.

Të fundit

Aktuale