Lajme

Qeveria e portokalltë – Në mbështetje të fushatës kundër dhunës ndaj grave


Qeveria e Kosovës

Ka filluar fushata e 16 ditëve për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Kjo fushatë nisi me ndriçimin e ndërtesave shtetërore, Qeveri, Presidencë dhe Kuvend të Kosovës, me ngjyrë portokalli.

Gjatë së enjtes së 25 nëntorit filloi fushata, dita ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj gruas, e cila përfundon me 10 dhjetor, pikërisht në Ditën e të Drejtave të Njeriut.

Po ashtu, kjo iniciativë është mbështetur edhe nga vetë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Përmes kësaj fushate çdo vit bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.

Simbolika e ngjyrës portokalli është për një botë të lirë pa dhunë ndaj vajzave dhe grave dhe për një të ardhme sa më të ndritshme.

Ndërtesa shtetërore si Qeveri, Presidencë dhe Kuvend, do të qëndrojë e ndriçuar gjatë ditës së enjte, prej orës 18:30 gjerë të premten mbrëma.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca bënë thirrje për solidarizim të vazhdueshëm dhe përpjekje e veprime të pareshtura për parandalimin e dhunës kundër grave, si dhe  ruajtjen dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca

Me këtë rast, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur shalla, shamia dhe simbole të tjera ngjyrë portokalli në mbështetje të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore.

Konjufca është shprehur se, sikur viteve të mëparme, edhe këtë vit fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe ngritjen e zërit kundër dhunës në baza gjinore në vendin tonë.

Gjatë kësaj fushate, institucionet publike dhe organizatat e pavarura vendore e ndërkombëtare do të zhvillojnë aktivitete të nduarnduarta sensibilizuese në mbarë vendin tonë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjithashtu është shprehur se hapja e fushatës së 16 ditëve të aktivizimit “është thirrje për të dëshmuar zero tolerancë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, për të fuqizuar zingjirin institucional dhe për të shpëtuar jetën e çdo gruaje apo vajze pa dallim moshe apo etnie”.

Ai para mediave ka theksuar se luftimi i dhunës ndaj grave është prioritet i qeverisë sepse sipas tij, dhuna ndaj grave nuk është çështje private, “por çështje e sigurisë publike, shoqërore, kombëtare, e mbrojtjes së jetës dhe drejt njerëzore fundamentale”.

“Luftimi i dhunës ndaj grave do të jetë prioritet i yni i edukimit dhe formimit cilësor si parakushti ndryshimit të normës kulturore, fillimisht përmes qasjes së barabartë për të gjithë fëmijët në edukimin cilësor parashkollor, zvogëlimin e hendeqeve të pabarazive shoqërore, me një qëllim përfundimtar, krijimin e vlerave qytetare që në vegjëli”, është shprehur ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

“Përkushtimi ynë institucional për eliminimin e dhunës ndaj vajzave dhe grave vazhdon çdo ditë”.

Teksa u bëri thirrje të gjithë burrave që të jenë model në shtëpi dhe punë sepse ata kanë një rol të rëndësishëm, Kurti potencoi se “është e detyrueshme që burrat të ngrisin zërin krah për krah me gratë për barazinë gjinore dhe kundër dhunës me bazë gjinore”.

“Nuk guxojmë të lejojmë që qytetarët të jetojnë në ankth dhe frikë nga e ardhmja, që ndonëse e garantuar me normë ligjore është e sfiduar nga një mentalitet që gruan nuk e sheh si një individ të barabartë që gëzon të drejta të plota”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore