Kosova

“Qeveri macesh dhe maçokësh që sillen sikur të ishin tigra në kurriz të NATO-s”, thotë Maliqi pas sulmit të Gërvallës ndaj BE-së


Agon Maliqi

Analisti politik, Agon Maliqi, ka reaguar pasi që Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e quajti Bashkimin Evropian “tigër prej letre”.

Sipas Maliqit, Bashkimi Evropian mundet edhe të jetë një “tigër prej letre”, por se thotë se “nuk ka ironi më të madhe se këtë kritikë t’ia drejtojë një qeveri macesh dhe maçokësh që sillen sikur të ishin tigra në kurriz të NATO-s”.

“Ky lloj i vetëbesimit të budallës dhe kjo mungesë e plotë e vetëdijes për imazhin e vet të rrënuar në perëndim, e ka kthyer këtë qeveri në parodi zbavitëse për vëzhguesin mesatar të huaj, dhe në “krinxh” dhe torturë të pafund për këdo me dy fije mend brenda vendit”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ndryshe, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë fjalës së saj në një nga panelet në Forumin e Dubrovnikut, në Kroaci, ka thënë se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, Bashkimi Evropian, nuk mund të garantojë paqe dhe siguri, dhe se e njëjta pa këto dyja, sipas saj është një “tigër prej letre”.

Sipas saj, pyetja kyçe “është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë?”.

Në vlerësimin e Gërvallës “BE-ja nuk mundet” ta garantojë sigurinë, sepse, thotë ajo “nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri”.

“Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa ShBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Paper Tiger’”.

Ndaj kësaj deklarate të saj reaguan i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Escobar gjatë fjalës së tij në panelin “Ballkani Perëndimor: Një momentum i ri euro-atlantik” në kuadër të Forumit të Dubrovnikut në Kroaci, i tha Gërvallës se gjërat e mira që kanë ndodhur në Ballkan ka qenë për shkak të bashkëpunimit BE-SHBA.

“Dhe më vjen keq që duhet të dalloj nga kolegia ime në Kosovë, por gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan, ka qenë kombinim i bashkëpunimit të BE-së dhe ShBA-së”, tha ai.

Ndërsa, Ljaçak potencoi se BE-ja është unioni “më i mirë që e kemi”, duke shtuar se është ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e saj.

“Fillimisht, mendoj se duhet të them që BE-ja është larg perfeksionit, por është më i miri që kemi. Është unioni më i suksesshëm i shteteve. Nuk ka një union tjetër të shteteve në këtë planet, që ka bërë stabilitet politik, ekonomik më të mirë, respektim të të drejtave”.

“Kështu që, unë mendoj që bashkimi në BE është një ëndërr e shteteve që janë duke trokitur në derën e BE-së. Në këto 20 vite, vetëm Kroacia iu bashkua BE-së, dhe procesi i zgjerimit ka humbur dinamikën. Dihet se diçka duhet të bëhet”, theksoi ai.

Por çka nënkupton kjo frazë?

“Tigër prej letre” është një frazë kineze që i referohet diçkaje ose dikujt që pretendon ose duket të jetë i fuqishëm ose kërcënues, por në të vërtetë është i paefektshëm dhe i paaftë për t’i bërë ballë sfidës.

Kjo shprehje ishte bërë e njohur ndërkombëtarisht pasi që diktatori famëkeq kinez, Mao Ce Duni, e kishte përdorur si slogan kundër kundërshtarëve të tij politikë, veçanërisht kundrejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët i konsideronte si armiqtë kryesorë.

Që nga atëherë, kjo frazë është përdorur në kapacitete dhe variacione të ndryshme për të përshkruar shumë kundërshtarë dhe entitete të tjera.

Ndërsa, në gjuhën mandarine kineze, shprehja zhilaohu (nga “zhi” që do të thotë “letër” dhe “laohu” që do të thotë “tigër”) shkon prapa në shekullin e XIV-të, gjatë dinastisë së hershme kineze Ming. Edhe atëherë, figura e tigrit prej letre përfaqësonte një kërcënim bosh.

Një fjalor i vitit 1828 nga misionari dhe leksikografi britanik, Robert Morrison, regjistron shprehjen ekuivalente në varietetin kantonez të kinezishtes, duke e përkthyer atë si “një tigër letre, një pretekst i rremë për të frikësuar njerëzit”. Dhe në librin e tij të vitit 1836 “Kinezët”, John Francis Davis shpjegoi: ‘Një shok i turbullt, i padëmshëm ata e quajnë ‘një tigër letre’”.

“Tigër prej letre”, Gërvalla e “goditi” BE-në me shprehjen e Mao Ce Dunit – çka nënkupton kjo frazë kineze?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore