Lajme

“Qeveri e korruptuar; shkoni në shpi; të krijohet Komision Hetimor Parlamentar” – Reagime të shumta pas raportimit të AP-së për hajninë multi-milionëshe të Liburn Aliut dhe Naser Hafizit


Liburn Aliu dhe Naser Hafizi

Ekzekutiv i korrupsionit masiv, hajna, qeveri e korruptuar që duhet të shkojë në shpi, korrupsion që duhet të dënohet, opozita ta ftojë në interpelancë Ministrin Liburn Aliu, të themelohet një Komision Hetimor Parlamentar, Parulla ‘hajnat në burg’ po shndërrohet në ‘Ministrat në burg’.

Këto ishin disa nga reagimet e shumta që u bënë pas raportimit të Albanian Post, që u publikua të mërkurën ku shpërfaqet se si me një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Fillimisht do të reagonte nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se ende pa dhënë përgjegjësi askush për mbi 210 milionë tendera sekret, shpërthen skandali tjetër multimilionësh në ministrinë e Liburn Aliut.

“Sinjalizuesi sipas Albanian Post i paska shkruar e-mail vet kryeministrit Kurti për të ia tërhequr vëmendjen për ‘’hajnitë në këtë ministri’’ por në vend të përgjigjes nga Kurti, i njëjti paska përfunduar në Komision Disiplinor brenda ministrisë”, shkroi Bajrami.

“Sinjalizuesin edhe mund ta largoni nga puna, por këto fakte që sot i paska bë publike AP nuk mund të fshihen më asnjëherë. Prokuroria Speciale duhet sa më parë të reagoj. Ky është korrupsion dhe duhet të dënohet si i tillë”, shtoi.

Deputetja e LDK-së i tha pushtetit, pra Lëvizjes Vetëvendosje se “veç për korrupsion do të mbaheni mend”.

Po nga LDK-ja reagoi edhe deputetja nga radhët e kësaj partie, Rrezarta Krasniqi, duke thënë se parulla ‘hajnat në burg’ po shndërrohet ‘Ministrat në burg’.

“Kjo qeveri e korruptuar dhe me skandale milionëshe duhet të shkoj në shtëpi madje disa ministra duhet të shkojnë në burg sepse atje e kanë vendin”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ajo ka theksuar se organet e rendit duhet të ndërmarrin hapat e nevojshëm, meqë miliona euro po keqpërdoren nga “pushteti prej frikës” sepse e dinë që nuk do të kthehen më në ato pozita.

Ndërsa, pas këtij raportimi, anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka thënë se Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje “është qeveri e korrupsionit masiv”.

Përveç këtij skandali, anëtar i LDK-së ka përmendur edhe rastet e tjera ku qeveria e drejtuar nga Albin Kurti dyshohet për korrupsion.

“Vjedhja e rezervave të shtetit; Tenderët njëburimorë në vlerë qindra milionëshe; Sektor i energjisë i korruptuar rëndë, me ambasadorin Martin Berishaj, drejtorin e KEK-ut e të tjerë të përfshirë; Tash afera e shlyerjes së borxheve milionëshe të kompanive për ambalazhim të ujit, në dëm të buxhetit të Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, ka shtuar Hamiti, “mbi 400 milionë euro të humbura shkaku i sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës për fajin e Qeverisë së Albin Kurtit”, duke iu referuar masave ndëshkuese që Unioni i kishte vendosur ndaj Prishtinës si pasojë e veprimeve të ekzekutivit në Veri të vendit.

“S’ka ende reagim qytetar ndaj kësaj Qeverie të korrupsionit masiv, që s’po e konsumon vetëm pushtetin, por edhe shtetin e Kosovës”, përfundoi ai.

Reagim ka pasur edhe nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Nga kjo parti, përmes Shefit të Grupit Parlamentar, Abelard Tahiri, kanë thënë se ky skandal nuk mjafton të trajtohet në Kuvendin e Kosovës thjesht me një seancë të jashtëzakonshme ose përmes një interpelance.

“Ky skandal duhet të trajtohet përmes një komisioni hetimor parlamentar sepse nuk mjafton që ky skandal të trajtohet vetëm me ministrin”, shkroi Tahiri.

Ai ka shtuar se për këtë çështje duhet të ftohen shumë akterë për t’i dhënë shpjegimet e duhura para komisionit hetimor parlamentar.

Përveç partive politike, reagime ka pasur edhe nga vëzhguesit e zhvillimeve politike në vend.

Ndër ta filozofi dhe analisti politik, Ismail Tasholli.

Duke ironizuar me LVV-në, Tasholli ka shkruar në Facebook “hem idealista hem HAJNA prej t’mdhajve”.

“A ju lejohet me noj fe a veç ju pranohet prej militantëve!?”, ka shkruar analisti politik.

Ndërsa, gazetari Ilir Mirena ka kërkuar që për këtë skandal, Ministri Liburn Aliu të ftohet nga opozita në interpelancë.

“Shans i mirë që opozita me e thirr në interpelancë [Liburn Aliun], se kur e patën thirrur për tenderët një burimorë u thojke opozitës ‘s’di për çka m’keni thirr’…”, shkroi Mirena në Facebook.

Përmes këtij rasti, sipas gazetarit Mirena, ministri Aliu “e ka mundësinë me e ditë për çfarë e kanë thirrur”.

Çka raportoi AP?

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post posedon dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore