Lajme

“Qëllimi i Kurtit është kontrabandimi i Asociacionit”


Albin Kurti dhe Dardan Molliqaj

Sipas kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tashmë një gjë është e qartë se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka një “kornizë të re” e propozuar së fundmi nga këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, të cilën Albanian Post e kishte publikuar javë më parë dhe e cila po mbahet sekret nga ana kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Për Molliqajn është e çuditshme se si, Albin Kurti, po refuzon ta pranojë se po bisedohet për një kornizë të tillë kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për të dytën herë me radhë flet për të njëjtën dokument, për të cilën thotë se “është në tavolinën e bisedimeve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi” dhe rrjedhimisht “nuk mund të hidhet nga dritarja si propozim”.

“Çka mundet me qenë sekreti në dialog të cilin e ndajnë mes vete veç Kurti e Vuçiç’i? Cili është ai moment që diskutimi me Vuçiç’in u bë më i rëndësishëm sesa komunikimi me qytetarët?”, ka pyetur Molliqaj përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook.

Asociacioni sipas Molliqaj është emëruesi i përbashkët dhe arsyeja për të cilën Kurti ka frikë të flas, e të cilën e parasheh marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qëllimi i Kurtit gjithë në këtë mes është kontrabandimi i Asociacionit apo ribrendimi i tij.

“Sekreti qëndron tek vështirësia e titullimit, që Asociacioni të mos asociojë me projektin e vjetër të ndarjes etnike. Por kontrabandimi i asociacionit nuk do të kalojë pa u kuptuar, ndonëse jemi në procesin e dialogut më të mbyllur ndonjëherë. Kjo do të ju kushtojë me rezistencë qytetare”.

Ilustrim: Albin Kurti

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Vuçiç flet përsëri për “kornizën e re” të dialogut: Propozimi gjermano-francez është në tavolinë, pozicioni i Serbisë po komplikohet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore