Lajme

Që të mbahen zgjedhjet serbe në Kosovë, OSBE thotë se “duhet miratimi i institucioneve relevante”


Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka bërë të ditur se është takuar me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë dhe të vetëquajturës zyrë “për Kosovën” në Serbi, me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale në Serbi të 3 prillit.

Përmes një cicërime në Twitter, ambasadori amerikan në OSBE, Michael Davenport, bën të ditur se janë të gatshëm “të mbledhin fletëvotimet për zgjedhjet e ardhshme serbe” me kushtin që ato të kenë “miratimin e të gjitha institucioneve relevante”.

OSBE, të njëjtën gjë kishte theksuar edhe herën e kaluar me rastin e ndalimit të Referendumit për ndryshime kushtetuese në Serbi, e që ishte anti-kushtetues mbajtja e saj në Kosovë.

“Pa pranimin e të gjitha palëve”, kishte theksuar OSBE, “ishte e pamundur mbledhja e tyre”.

Davenport ditë më parë kishte theksuar se ShBA nuk e konteston kapacitetin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për të marrë vendimet e saj sovrane se çfarë lejon e çfarë jo.

Por, sipas tij, ShBA do ta trajtonte këtë temë me përfaqësuesit politik të Kosovës, për të parë “modalitete” të mundshme se si do të mund të ishte një aranzhim adekuat për zgjedhjet serbe të 3 prillit në komunitetin serb në Kosovë.

Kuvendi i Kosovës më 15 janar miratoi, njëzëri me opozitën, rezolutë për ndalimin e mbajtjes të Referendumit serb brenda shtetit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje ka lënë të kuptohet se i njëjti parim vlen qoftë ajo referendum ose zgjedhje nacionale të një vendi tjetër rreth mundësisë së mbajtjes së tyre në Kosovë.

Ministri i jashtëm serb, Nikolla Selakoviç në një takim me Davenport të martën i kërkoi këtij të fundit të ndihmohen serbët për të ushtruar të drejtën e tyre “demokratike” për të votuar për zgjedhjet serbe në Kosovë.

I ashtuquajturi drejtor i zyrës së vetëquajtur “për Kosovëm”, Petar Petkoviç, madje ka deklaruar se në rastin e mosbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, do të pasojnë “konsekuenca të paparashikueshme”.

Kurse, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic, është shprehur i sigurtë që serbët do të votojnë në zgjedhjet e prillit brenda Kosovës.

“Serbët do të votojnë në Kosovë, dhe jo vetëm në Veri, por në tërë Kosovën”, u shpreh para disa ditësh, Aleksandër Vuçiç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore