Lajme

“Qatargate”, PE-ja nis heqjen e imunitetit të dy deputetëve


Kryetarja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka nisur të hënën procedurën urgjente për heqjen e imunitetit të dy deputetëve në bazë të kërkesës së autoriteteve gjyqësore belge për rastin “Qatargate”.

Këtë e ka bërë të ditur shërbimi për shtyp i Parlamentit Evropian.

Sipas procedurës, heqja e imunitetit duhet të shpallet nga kreu i organit në seancën e radhës plenare, e cila do të mbahet më 16 janar, pas së cilës çështja do t’i referohet Komisionit për Çështjet Juridike të Parlamentit Evropian.

Pas punimit të çështjes në komision, vendimi kalon në mbledhjen plenare. Në këtë rast kërkohet një shumicë e thjeshtë votash për të hequr paprekshmërinë.

Kryetarja e Parlamentit Evropian shpreson që këto procedura të përfundojnë deri më 13 shkurt.

Gjithashtu, në javët në vijim, Metsola planifikon të prezantojë vizionin e saj për reformën në Parlamentin Evropian për të parandaluar shfaqjen e skandaleve korruptive si “Qatargate”.

“Që nga fillimi, Parlamenti Evropian ka bërë gjithçka që është në fuqinë e tij për të ndihmuar në hetim dhe ne do të vazhdojmë të sigurojmë që të mos ketë pandëshkueshmëri. Fajtori do të shohë që ky Parlament është në anën e ligjit”, u shpreh ajo.

Zyrtarisht nuk janë bërë të ditur emrat e eurodeputetëve të cilëve do t’u hiqet imuniteti, por burimet e agjencisë “AFP” konfirmojnë se bëhet fjalë për dy figurat kyçe të “Qatargate” – deputeti italian Andrea Cozzolino dhe deputeti belg Marc Tarabella.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore