Shqipëria

Qasja e diplomacisë shqiptare për konfliktin në Gaza: Izraeli meriton siguri, palestinezët kanë nevojë për shtetin e tyre


“Izraeli ka nevojë për siguri dhe meriton siguri, palestinezët kanë nevojë dhe e meritojnë shtetin e tyre”.

Me këtë fjali, diplomacia shqiptare ritheksoi mbështetjen e saj për të dyja kombet dhe shtetet në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit në OKB.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë pasur gjithmonë jehonë në mbarë botën, pohoi ndërsa shihte nga e gjithë tavolina prej gjysmë-patkoi kryediplomati shqiptar Igli Hasani.

Sipas tij, duhet bërë gjithçka për të shmangur përhapjen e konfliktit që do të destabilizonte të gjithë Lindjen e Mesme.

“Shqipëria qëndron me Izraelin si çdo komb i sulmuar në të drejtën e saj legjitime për vetëmbrojtje në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare”, u shpreh Hasani.

Ai shtoi se në momente kaq të vështira dhe përcaktuese, Izraeli dhe populli i tij kanë nevojë për mbështetjen e komunitetit të “Kombeve të Lira për t’iu përgjigjur terroristëve që kanë kryer krime të tmerrshme dhe vazhdojnë të vënë në dyshim të drejtën e tij për të ekzistuar”.

“Ne besojmë thellësisht se ekziston një mënyrë për të garantuar sigurinë e Izraelit dhe për të garantuar mbrojtjen e civilëve të pafajshëm dhe jetët që kanë rëndësi të barabartë qofshin ato izraelite apo palestineze”, vijoi më tej ministri shqiptar.

Diplomacia shqiptare vijoi të dënojë sulmin e Hamasit më 7 tetor gjatë tryezës së nivelit të lartë të OKB-së, duke i kujtuar të pranishmëve se cili ishte plani i liderëve të kësaj organizate terroriste.

“Hamasi, liderët e të cilit jetojnë një jetë komode jashtë Gazës dhe mbështetësit e tyre e dinin shumë mirë se çfarë po bënin kur lëshuan kafshët, për të djegur, vrarë, masakruar dhe rrëmbyer këdo që mundën”, deklaroi kryediplomati shqiptar.

Hasani theksoi se Hamasi shpresonte të shkaktonte “një përgjigje masive nga Izraeli duke e ditur shumë mirë se civilët do të kapeshin në mes”.

“Shpresa dhe fitorja e tyre do të ishte që ta bënin botën të kthehet kundër Izraelit, por ne nuk duhet të mashtrohemi. Është vetëm një palë që po gëzohet me atë që po ndodh, është një vend i njohur për sponsorizimin e terrorizmit në Gaza, në Bregun Perëndimor, në Jemen, në Liban, në Siri kudo që të munden”, shtoi zyrtari shqiptar duke kujtuar se është vendi që njihet dhe vazhdon të destabilizojë të gjithë Lindjen e Mesme – referuar Iranit.

Në përmbyllje, Igli Hasani theksoi gjatë fjalës së tij se Shqipëria dënon “çdo justifikim dhe glorifikim të sulmeve terroriste”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore