Putini lejon vendet “jomiqësore” ta paguajnë gazin në valutë të huaj

SHFLETO
albanianpost
31.12.2022 10:12
Loading Icons...

Rusia do të lejojë vendet “jomiqësore” të paguajnë shlyerjet e borxhit për furnizimet me gaz natyror në një valutë të huaj, sipas ndryshimeve të bëra nga Presidenti Vladimir Putin në një dekret të mëparshëm.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Dokumenti, i publikuar më 30 dhjetor në faqen e internetit të informacionit ligjor të qeverisë ruse, thotë se furnizuesit rusë të gazit natyror mund të bëjnë marrëveshje me blerësit nga vendet “jomiqësore” në valutën e huaj të specifikuar në kontratë.

Borxhi për furnizim me gaz do të konsiderohet i shlyer pasi fondet e blerësit të huaj të jenë kredituar në një bankë të autorizuar ku është hapur një llogari e veçantë për marrjen e pagesave.

Putin nënshkroi dekretin për pagesat për gazin natyror rus në mars, duke detyruar klientët evropianë “jomiqësorë” të hapin llogari bankare në rubla me Gazprombank dhe të paguajnë në rubla nëse duan të vazhdojnë të marrin gazin rus. Ai dekret kishte të bënte vetëm me dërgesat nga Gazprom.

Furnizimet u ndërprenë më pas për disa kompani dhe vende, si Polonia dhe Finlanda, që refuzuan kushtet e dekretit, i cili u pa si një mjet për të nxitur kërkesën për rubla pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian zbatuan sanksione të ashpra ekonomike mbi pushtimin e Rusisë në Ukrainë.

Dekreti i Putinit nënkuptonte që blerësit e gazit rus në Evropë – të gjitha vendet e BE-së përfshiheshin në kategorinë “jomiqësore” – duhej të blinin rubla në tregun rus për të paguar furnizimet.

Presidenti e mbrojti politikën duke thënë se vendet perëndimore kishin “anuluar besimin në valutat e saj” duke vendosur sanksione ndaj Rusisë për luftën kundër Ukrainës.

Ndryshimi i shpallur më 30 dhjetor për të lejuar shlyerjen e borxhit nuk nënkupton automatikisht rifillimin e furnizimit me gaz, sipas informacioneve të publikuara.