Kosova

Pushteti i LVV-së akuzohet për reklamimin e “grafikoneve imagjinare” që s’e pasqyrojnë “realitetin e hidhur” në Kosovë


Ilustrim

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të shtunën në mbrëmje, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për reklamimin e “grafikoneve imagjinare” që në të vërtetë nuk e pasqyrojnë “varfërinë e madhe” dhe “gjendjen e rënduar” në Kosovë.

“Gjendja e rëndë ekonomike është pasqyruar në raportet ndërkombëtare, duke treguar jo vetëm varfëri të madhe, por edhe një tendencë për përkeqësim të mëtejshëm… institucionet vazhdojnë të shpallin statistika që duken si ëndrra të bukura, por realiteti është shumë më i hidhur”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të dielën e javës së kaluar, ka deklaruar se vendi i vogël ballkanik është duke u bërë një ndër destinacionet kryesore për investitorët e huaj: “Një provë më tepër se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht”.

“Për më tepër, ajo renditet e katërta në botë për progres nga viti në vit, përkatësisht nga viti 2022 në vitin 2023. Një dëshmi më shumë se progresi demokratik dhe ekonomik në Kosovë ecin paralelisht, duke e bërë vendin tonë një destinacion lider për investitorët e huaj”, ka shkruar kryeministri.

Kosova ka zënë vendin e dytë në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim në indeksin e performancës për tërheqjen e investimeve të huaja direkte për vitin 2023 – dhe në vendin e pestë në të gjithë botën – në bazë të një raporti të publikuar së fundi nga qendra “FDI Intelligence” për investime të huaja.

Në mesin e ekonomive evropiane në zhvillim, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë pasur performancën më të mirë për tërheqjen e investmeve të huaja në vitin 2023. E kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për agjencinë kosovare të lajmeve “Kosova Press” më herët, ka thënë se raporti është valid, por s’e pasqyron realitetin.

“Kosova megjithatë është vendi i dytë më i varfër në kontinentin evropian… nëse Ukraina nuk do të sulmohej nga Rusia, dhe nuk do të ballafaqohej me telashet aktuale, shteti më i varfër në Evropë do të ishte Kosova”, ka theksuar Zeka, duke cituar raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Përkundër vlerësimeve se ekonomia e Kosovës do të vazhdojë të zgjerohet në të ardhmen, në bazë të vlerësimeve të fundit, vendi konsiderohet një ndër vendet më të varfëra në Evropë, duke u rënditur menjëherë pas Ukrainës në gjendje lufte, ndërsa vazhdon të jetë vendi më i varfër në rajon.

Për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike në Kosovë, që konfirmohet edhe nga organizatat prestigjoze ndërkombëtare, dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke ia kthyer shpinën atdheut të tyre për të nisur një jetë të re në shtetet perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore