Pushteti i del në mbrojtje të arrestuarit për korrupsion, sulmon kryeprokurorin Isufaj
Altina Marmullaku
19.04.2023 21:33Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet me premtimin për luftimin e korrupsionit, por deputetët e kësaj partie e kanë kritikuar këtë të mërkurë arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, pasi i njëjti u arrestua nën dyshime për korrupsion.
Nagip Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i vendosur në krye të KEK-ut përmes lidhjeve me partinë në pushtet, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë Speciale, nën dyshimet për dallavere në një tender që tejkalon vlerën e 3 milionë eurove.
Në një status me plotë gabime drejtshkrimore, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook me ironi se “është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jamë frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditave ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut”.
“Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurin e tij , mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, shkroi deputeti analfabet.
Një tjetër deputet e ka kritikuar gjithashtu arrestimin e Krasniqit, i cili po dyshohet për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litëin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për kryerjen e punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”.
Artan Abrashi e ka lidhur arrestimin e tij me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn.
“A po hakmerret ai që s’po arrin të bëhet kryeprokuror?”, ka pyetur Abrashi – kush e di se kë.
Pos tij, deputeti tjetër i VV-së që u sul kundër arrestimit të të dyshuarit për korrupsion, ishte Arbër Rexhaj.
Ai ka përmendur me emër Isufajn dhe në sinkron me Abrashin, i ka përmendur atij aplikimin për kryeprokuror.
“Kush është ky Blerim Isufaj që nuk e duan për kryeprokuror asnjëri nga tre krerët shtetërorë (Presidentja, Kryeministri e Kryeparlamentari) e megjithatë don që me çdo kusht e për çfarëdo çmimi të bëhet Kryeprokuror?! Ai ka siklet të madh diku e mbështetje jo të vogël prej ndokujt”, hodhi thashethemet Rexhaj.
Sulmin e ka vazhduar deputeti Adnan Rrustemi, i cili, bëri paralele me protestat në veri dhe mungesën e arrestimeve atje.
“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri”, shkroi Rrustemi, duke harruar që ishte qeveria e Kosovës që me marrëveshje politike i amnistoi protestat atje.
Madje, në një letër të përbashkët më pas, SHBA-të dhe BE i patën quajtur protestuesit me maska paqësorë e barrikadat mjete paqësore.
Rrustemi, duke mos përmendur diçka konkrete, por duke sulmuar indirekt prokurorët, tha se “mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV”.
Kush është anëtari i LV-së, tash drejtor i KEK-ut, Nagip Krasniqi – i dyshuar për keqpërdorimin e 3.4 milionë eurove?
I dyshuar për keqpërdorime në një tender prej 3.4 milionë euro me kompaninë “Litwin SA” dhe partnerin vendor “Bujar B. Shala B.I.”, për tenderin rreth kryerjeve të punëve për remontin e turbinës dhe gjeneratorit të Njësisë A5 të TC “Kosova A”, kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi u arrestua këtë të mërkure nga organet e rendit.
Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, kishte marr këtë pozitë më 4 nëntor të vitit 2021 pasi ishte përzgjedhur nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin patën konkurruar 38 kandidatë.
Emri i Krasniqit u përmend edhe në rastin e skandalit financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Ky i fundit u raportua se ishte takuar në Kroaci me Krasniqin gjatë muajit mars të vitit të kaluar.
Megjithatë, këtë e kishte mohuar Berishaj gjatë raportimit të tij në Komisionin Hetimor për Energjinë në Kuvendin e Kosovës më 17 nëntor të vitit të kaluar.
“Nuk kam pasur takim me kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës. Unë gjitha takimet fillimisht i bëjë në ambasadë. Jam shumë i gëzuar që kam pas mundësin ta shpjegoj një shpifje të madhe që është bërë”, pati thënë Berishaj.
Krasniqi po ashtu ishte akuzuar nga kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm, por ky i pari e kishte mohuar një gjë të tillë.
Më 2 dhjetor të vitit të kaluar, Krasniqi ishte ftuar për të raportuar para Komisionit Hetimor Parlamentar i Kosovës në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022.
Por, e kishte lëshuar mbledhjen pas pyetjes së kryetarit të këtij komisioni, Hajdar Beqa, i cili kishte kërkuar informacione nga Krasniqi për mos fillimin e remontit të bllokut A5 në Termocentralin “Kosova A”.
Ndërsa këtë të mërkure kur u prangos, Krasniqi gjatë arrestimit i ka kërkuar Policisë së Kosovës që të dërgohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sepse nuk po ndjehej mirë.
Por, në momentin që u dërgua, ai refuzoi të kontrollohej.
Siç i ka treguar Albanain Post-it, Naser Syla, ai erdhi nën shoqërimin e policisë në QKUK, por më pas nuk donte që të kontrollohej nga mjekët
Ndryshe, emri i Nagip Krasniqit është përmendur në media edhe më parë në hetimet nga Njësia për Krime Ekonomike që janë zhvilluar disa vite më parë në KEK.