Lajme

“Pushimi prindëror s’është veç pushim i grave”


Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), ka kritikuar Qeverinë e Kosovës

“Pushimi prindëror nuk është veç pushim i grave”.

Kështu ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), përmes një aksioni simbolik të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë. Kjo pasi që ditë më parë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ofruar mbështetje për gratë lehona për t’i fuqizuar ato në shoqërinë kosovare.

Hulumtuesja e kësaj qendre, Medina Dauti, ka thënë se vendimi i Qeverisë është anti-feminist, pasi sipas saj, e shfaqë mentalitetin diskriminues se kujdesi ndaj fëmijëve është obligim vetëm i grave.

“Tani ndryshuam imazhin që paraqiti Qeveria e Kosovës kur vetëm nëna mban në krah fëmijën, në fotografi tashmë është edhe babai sepse edhe atij i takon njëjtë përkujdesja. Politika e Qeverisë së Kosovës – ‘Pagesat për lehonat’ e prezantuar ditë më parë është anti – feministe në thelb”, ka thënë Dauti.

Hulumtuesja nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion (QIKA), Medina Dauti

Sipas QIKA, politika e Qeverisë aktuale paraqet një hap prapa në kërkesën e kahmotshme të aktivisteve feministe për pushim prindëror dhe ndarje të barabartë të punëve të kujdesit.

“Shteti vendosi të etablojë normën që vetëm gruaja është ajo që duhet të kujdeset për fëmijën pas lindjes. Kjo politikë është diskriminuese”.

“Për përpilimin dhe realizimin e kësaj nisme nuk është realizuar asnjë hulumtim paraprak i cili dëshmon që politika e tillë do të ndihmojë në fuqizimin e grave, ashtu siç u prezantua nga Qeveria. Për të më tepër, kjo politikë as nuk u bazua në shumë hulumtime që veçse ekzistojnë për këtë temë”, shtoi ajo.

Dauti ka theksuar se sipas hulumtimeve të ndryshme kohëzgjatja e madhe e pushimit të lehonisë, barra e madhe financiare e sektorit privat, dhe mungesa e dispozitave të qarta për pushim prindëror përtej pushimit të lehonisë, shtojnë diskriminimin e grave në treg të punës, rrisin barrën e punëve të papaguar për gratë, dhe pengojnë arritjet e barazisë gjinore .

Në mënyrë që të ketë një ndarje të barabartë të punëve të papaguara si dhe përfshirjen e grave në tregun e punës QIKA konsideron që duhet të ndërmerren disa hapa.

Aksioni simbolik të mbajtur para ndërtesës së Qeverisë nga QIKA

“Duhet të shkurtohet pushimi i lehonisë, të zgjatet pushimi i atësisë, dhe të njihet koncepti i pushimit prindëror, një pjesë e të cilës duhet të jetë i pa – transferueshëm (së paku dy muaj), të zgjatet leja për orar fleksibil të punës për nëna dhe baballarë deri në moshën tetë vjeç të fëmijës”.

Pagesat për lehona të parapara nga Qeveria sipas kësaj qendre nuk përkojnë me barazi gjinore dhe as fuqizim të grave.

“Le të ndihmohen prindërit me masa të ngjashme për rritjen e fëmijëve, por prind nuk është veç nëna. Me anë të kësaj pagese përgjegjësitë për kujdesin po i mbesin veç gruas. Andaj edhe po e kundërshtojmë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nga kjo e premte do të fillojnë së realizuari një nga zotimet e tij, gjatë fushatës zgjedhore.

“Në duam t’i mbështesim gratë sepse synojmë shoqëri të barabartë, nuk mund të ketë barazi shoqërorë ku gjysma e shoqërisë nuk trajtohet ashtu”.

“Me këto formë të mbështetjes po e fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri, po kujdesim për mirëqenien dhe pavarësinë e saj financiare në një kohë kur ajo kujdeset për fëmijën e sapo lindur”, ka thënë Kryeministri.

Për grupin e parë, “për lehonat e papunësuara (ato që në ATK në 12 muajt e fundit figurojnë se janë të papuna, para datës së lindjes), mbështetja do të jetë në vlerën e pagës minimale për gjashtë muaj”.

Për grupin e dytë, “pagesa për të gjitha lehonat e tjera (që figurojnë se në 12 muajt e fundit kanë qenë të punësuara), mbështetja do të jetë në vlerë të pagës minimale për tre muaj, që është shtesë në kuadër të pagesës që tashmë e marrin si të punësuara, që është 70 për qind e pagës për gjashtë muajt e parë nga punëdhënësi dhe tre muajt e tjerë nga qeveria”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore