Punonjësit shëndetësor kërkojnë masa të menjëhershme për ekzekutimin e pagave

Federata e Shëndetësisë në Kosovë ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për ekzekutimin e pagave, pasi situata aktuale u ka shkaktuar vështirësi të mëdha punonjësve shëndetësorë.
SHFLETO

Foto: Albanian Post

 

Altina Marmullaku
01.10.2024 15:09
Loading Icons...

Federata e Sindikatës së Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se emërimi i zyrtarit përgjegjës për ekzekutimin e pagave është hap i domosdoshëm për të adresuar problemet që kanë sjellë vonesën e pagave të muajit të fundit.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga FSSHK-ja është potencuar se kjo situatë për punëtorët shëndetësor ka krijuar vështirësi të mëdha.

“Pas kësaj ngjarje FSSHK kërkon që procesi i ekzekutimit të pagave të realizohet menjëherë dhe në mënyrë të rregullt, pa vonesa të mëtejshme, vlerëson  rëndësinë e përmirësimit të procedurave administrative për të shmangur çdo ndërprerje të tillë në të ardhmen duke bërë thirrje për komunikim të hapur dhe të qartë nga institucionet përgjegjëse, në mënyrë që të informohen të punësuarit e sektorit publik në kohë reale për çdo vonesë të mundshme”, thuhet në njoftim.

Kërkesë e tyre ka qenë që institucionet të marrin masa urgjente që pagat të ekzekutohen.

“Përmes këtij reagimi, ne kërkojmë që institucionet përkatëse të marrin masa të menjëhershme për të garantuar që të gjitha pagat të kalohen në kohë dhe situata të tilla të parandalohen në të ardhmen”.

Që nga e hëna zyrtarët publikë kanë mbetur pa paga, kjo për shkak të skadimit të mandatit të ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit.

Ekzekutimi i pagave për zyrtarët publikë dhe i skemave sociale duhej të realizohej më 30 shtator.

Por, pa nënshkrimin e ushturesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Thesarit, nuk mund të bëhet asnjë dalje e parasë publike nga llogaritë e shtetit.

Ministria e Punëve, Financave dhe Transfereve, s’ka dalur akoma me një sqarim lidhur me këtë çështje e as Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP), i cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.