Pajisje

Punonjësit e Amazon-it në grevë, pretendojnë se u matet edhe koha për të shkuar në tualet


Punonjësit e kompanisë Amazon kanë organizuar grevën e parë në Mbretërinë e Bashkuar kundër gjigantit online në një protestë për pagën.

Rreth 300 pjesëtarë të stafit dolën nga magazina e Amazon-it në Coventry, tha sindikata GMB, mbi rritjen “e çuditshme” të pagës prej pesë për qind në 10.50 paund  në orë.

Ata kanë folur për kushte “të rënda”, duke pretenduar se monitorohen vazhdimisht dhe qortohen për kohë boshe që zgjat vetëm disa minuta.

Por një zëdhënës i kompanisë ka sqaruar se operohet me një sistem performance që gjithashtu “inkurajon stërvitjen për të ndihmuar punonjësit të përmirësohen nëse nuk po përmbushin qëllimet e tyre të performancës”.

Dy nga punonjësit, të cilët janë anëtarë të GMB-së, kanë thëë se edhe robotët në magazinë “trajtohen më mirë” se ta.

Madje, Darren Westwood dhe Garfield Hilton kanë treguar se si shkuarja për në tualet mund të çojë në marrje në pyetje nga menaxherët.

“Ata duan të dinë pse, nëse koha është më shumë se disa minuta, ata mund ta shohin atë në sistem”, ka treguar Hilton.

Ai është me diabet dhe nuk është gjithmonë e mundur të gjejë tualete afër në ndërtesë dhe procesi i gjetjes dhe kthimit ndonjëherë mund të zgjasë më shumë se 15 minuta.

“Ata pastaj do t’ju pyesin se çfarë po bënit”, ka hënë ai.

Sipas tyre, menaxherët ndjekin performancën e stafit dhe koha që nuk shpenzohet për skanimin e artikujve grumbullohet.

Westwood dhe Hilton kanë treguar se disa kolegë punonin 60 orë në javë për të përballuar koston e jetesës.

Ata madje kanë parë punonjës duke rënë në gjumë në udhëtimin e shkurtër me autobus për në magazinë e Amazon-it.

Por kompania dëshiron që “çdo minutë në atë ndërtesë të maksimizohet”.

Inflacioni është në nivelin më të lartë të 40 viteve, duke ushtruar presion mbi buxhetet e familjeve.

Bogdan, i cili është 29 vjeç, ka punuar për Amazon-in që nga viti 2015. Sipas tij, edhe pse punonjësit rrezikuan shëndetin e tyre për të punuar gjatë kulmit të pandemisë, oferta e pagave e “fyente stafin”.

Paçka se Amazon-i ka ngritur një imazh që “gjithçka është mirë”, në fakt “nuk është e vërtetë”.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore